Site icon Tetova Expres

ALI AHMETI MBLEDH KRYESINË QENDRORE – DISKUTOHET VERDIKTI I HAGËS!

Mbrëmë, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim,  Ali Ahmeti, mbajti mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, përkatësisht Kryesisë Qendrore të BDI-së, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe për forcimin e kapaciteteve strukturore dhe organizative brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.Në fokus të veçantë të diskutimit ishte edhe vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i datës 16 shtator 2026.

Kryesia Qendrore e BDI-së në mbledhjen e saj të fundit ka diskutuar mbi vendimin e datës 16 shtator të Gjykatës së Hagës duke bërë thirrje që të mos lejohet që historia e luftës çlirimtare të Kosovës të tjetërsohet, por edhe duke rikujtuar, sic thuhet në komunikatë, se si nisi ky proces, mbi çfarë pretendimesh u ngrit dhe çfarë mbeti prej tyre pas gjithë këtyre viteve.

Procesi që çoi drejt krijimit të Gjykatës Speciale mori shtysë nga raporti i Dick Marty-t dhe pretendimet e rënda për trafikim organesh. Por, pas gjithë këtyre viteve hetime dhe procesi gjyqësor, asnjë nga këto pretendime për të cilën edhe u formua kjo Gjykatë nuk u dëshmuan dhe në mungesë të fakteve u sajua një proces kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Historia e kësaj lufte dhe sakrifica e një populli për liri nuk mund të gjykohet në një proces të sajuar gjyqësor.

Në një komunikatë tjetër që vjen nga selia e BDI-së, integristët me keqardhje i vlerëson reagimet e partive politike maqedonase, të cilat me qasjen e tyre bëjnë një gabim serioz duke përpjekur të barazojnë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë me Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Këto janë dy institucione juridikisht dhe institucionalisht të ndryshme. Tribunali për ish-Jugosllavinë u themelua në vitin 1993 me Rezolutë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si tribunal ndërkombëtar për krimet e kryera në territorin e ish-Jugosllavisë.  Dhomat e Specializuara të Kosovës janë diçka tjetër: janë institucione të sistemit gjyqësor të Kosovës, të themeluara mbi bazën e një ndryshimi kushtetues dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, me seli të zhvendosur në Hagë. Prandaj, nuk mund të përdoret rasti i Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavinë si argument për të paraqitur çdo vendim të marrë në Hagë si të njëjtë në natyrë dhe në status juridik.

Advertisement

Çdo përpjekje për ta politizuar drejtësinë, për të manipuluar faktet apo për të barazuar procese juridikisht të ndryshme vetëm sa i rrit tensionet dhe krijon terren për përplasje të panevojshme ndëretnike, të cilat askujt nuk i shërbejnë, thuhet në reagimin e BDI-së.

Exit mobile version