Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.
Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.
„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.
„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.
