Site icon Tetova Expres

MPB: KONTROLLE TË PËRFORCUARA PËR PËRDORIMIN E TELEFONIT GJATË VOZITJES

Nga 5 deri më 11 tetor, në kuadër të fushatës ndërkombëtare të ROADPOL-it “Focus on the Road”, Ministria e Punëve të Brendshme po zhvillon kontrolle të përforcuara në komunikacion, të fokusuara në përdorimin e parregullt të telefonave celularë, kufjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë pjesëmarrjes në trafik.

Fushata po zhvillohet njëkohësisht në 34 shtete evropiane, me një qëllim të përbashkët – uljen e rreziqeve të shkaktuara nga shpërqendrimi dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Shkrimi i mesazheve, bisedat telefonike, kontrollimi i njoftimeve apo përdorimi i rrjeteve sociale gjatë drejtimit të automjetit e largojnë vëmendjen nga rruga. Mjaftojnë vetëm disa sekonda pakujdesi që shoferi të mos e vërejë në kohë një rrezik dhe të mos arrijë të reagojë.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të jenë të përgjegjshëm dhe plotësisht të përqendruar në rrugë.

Mos lejoni që një shikim i vetëm drejt ekranit të bëhet shkak për një tragjedi në komunikacion, theksojnë nga MPB-ja.

Advertisement

Vozitni me kujdes – shikoni rrugën. Telefonin lëreni për më vonë, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Exit mobile version