Site icon Tetova Expres

ÇËSHTJA GRUBI: ADEMI – PAFAJËSINË E TIJ E DËSHMOJNË EDHE ZYRTARËT AKTUAL TË PUSHTETIT!

Procesi ndaj Artan Grubit është lojë dhe hakmarrje politike, vlerëson sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi.

I pyetur nga gazetarët, Ademi tha se, juridikisht dhe formalisht, Grubi vazhdon të konsiderohet i pafajshëm, pasi ndaj tij ende nuk ka një vendim të formës së prerë.

 Sipas Ademit, pafajësinë e Grubit e dëshmojnë edhe zyrtarë aktualë të institucioneve të përmendura në lëndën për të cilën ai po gjykohet. Ademi pranoi gjithashtu se ka kontakte me ish-zëvendëskryeministrin.

 “Sigurisht që kemi komunikim individualisht. Gjithkush konsiderohet i pafajshëm derisa të mos ketë një aktgjykim të formës së prerë. Në këtë rast, ju vetë jeni dëshmitarë se bëhet fjalë për një hakmarrje klasike politike ndaj z. Grubi dhe kjo po dëshmohet në proces. Po dëshmohet edhe përmes dëshmive të drejtuesve dhe përgjegjësve aktualë në institucione, të cilët po dëshmojnë në favor të së vërtetës.”

Ademi foli edhe për rikthimin e mundshëm të Artan Grubit dhe aktivizimin e tij të ardhshëm në BDI.

Advertisement

 “Z. Grubi me kohë është deklaruar sa i përket angazhimit të tij në jetën publike. Ai ka deklaruar aso kohe se do të tërhiqet dhe se çfarë vendimi do të marrë z. Grubi, varet prej tij. Aktivizmi civil dhe aktivizmi partiak janë akte vullnetare. Secili individ, në bazë të vullnetit të tij të lirë, mund të vendosë nëse do të marrë apo jo pjesë në jetën publike dhe politike.”

Ndryshe, gjatë ditës u raportua se më datë 13 të këtij muaji Artan Grubit i përfundon masa e paraburgimit dhe se ai do të mbrohet në liri. Gjithashtu, u raportua se ish-zëvendëskryeministri ka ofruar garanci në vlerë prej 335.707 eurosh për kthimin e pasaportës.

Exit mobile version