Site icon Tetova Expres

TOSHKOVSKI PËR TV KOHA: AKADEMIA POLICORE – SHQIPJA OBLIGATIVE, PËR TË TJERËT ZGJEDHORE!

Pavarësisht numrit të vogël të nxënësve shqiptarë, gjuha shqipe është bërë pjesë e programit mësimor në Akademinë Policore.

Për nxënësit shqiptarë ajo do të jetë lëndë obligative, ndërsa për nxënësit e tjerë që këtë vit janë regjistruar në shkollën e mesme policore, shqipja do të ofrohet si lëndë zgjedhore.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një intervistë për TV Koha.

Ai ka deklaruar se mundësia për të mësuar shqipen do t’u ofrohet edhe nxënësve maqedonas, turq dhe serbë.

Sipas tij, njohja e shqipes nga policët e ardhshëm do t’ua lehtësojë punën në terren.

Advertisement

“Për nxënësit shqiptarë, gjuha shqipe do të jetë lëndë obligative, ndërsa si lëndë zgjedhore do t’u ofrohet edhe të gjithë nxënësve të tjerë të etnive turke, maqedonase dhe serbe. Ata do të kenë mundësi ta mësojnë gjuhën shqipe, ta përdorin në përditshmëri dhe kjo do t’ua lehtësojë edhe punën e tyre në terren. Çdo gjuhë e re është një pasuri e madhe për secilin njeri. Prandaj, mendoj se vendimi për ta vendosur gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore për nxënësit e Akademisë Policore që nuk janë shqiptarë është një hap pozitiv dhe i mirë, nga i cili do të kemi përfitime dhe vlerë të shtuar.”

I pyetur për ndikimet e mundshme nga politikanët për shmangien e dënimeve, ministri Toshkovski tha se nuk mund të garantojë se raste të tilla nuk do të ndodhin, por theksoi se aktualisht nuk ka një praktikë të tillë.

Ai garantoi se çdo informacion për ndërhyrje apo veprime të kundërligjshme, nëse përcillet te ministri ose Sektori për Kontroll të Brendshëm, do të trajtohet në përputhje me procedurat e MPB-së

“A do të paraqitet politikani, që të kërkoj shërbim nga një zyrtar polcor, të përgjigjem me jo, dhe të them se sot nuk ka një gjë të tillë, nuk mund të garantoj, por mund të garantoj se nëse ka një gjë të tillë dhe nëse informacionet e tilla dorëzohen deri tek Ministri, ose deri tek drejtori ose deri tek sektori për kontrollë të brendshme, kjo e fundit do të veprojë maksimalisht, në bazë të standardeve profesionale dhe nëse ka çfardo lloj veprimi anti-ligjorë nga ana e një zyrtari policor, e njëjta do të regjistrohet dhe do të dënohet. Kurse mbi cilindo qoftë që merr guximin të reagojë tek zyrtarët policorë për çfarëdo vepre anti-ligjore do të merren masa të tjera operative që janë në suaza të MPB-së”

Në këtë intervistë, Toshkovski gjithashtu zbuloi se, që nga funksionalizimi i sistemit “Safe City”, janë shqiptuar rreth 400 mijë gjoba.

Advertisement

Ai pranoi se gjatë zbatimit të sistemit ka pasur edhe gabime dhe lëshime.

Ministri foli edhe për sigurinë në trafik, si dhe për numrin e vogël të nxënësve shqiptarë në Akademinë Policore.

Ai tha se do të angazhohet personalisht që vitin e ardhshëm ky numër të rritet ndjeshëm. TV KOHA

Exit mobile version