Site icon Tetova Expres

ZYRTARISHT KONFIRMOHET TAKIMI PETROVA – MUCUNSKI NË SOFJE!

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot se është marrë konfirmimi zyrtar për zhvillimin e një takimi bilateral mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova, i cili do të mbahet nesër në Sofje.

Takimi zhvillohet në kuadër të konferencës ndërkombëtare në nivel ministrash, kushtuar zhvillimit dhe rëndësisë strategjike të Korridorit Pan-Evropian 8.

Mickoski tha se formati dhe mënyra e zhvillimit të takimit do të përcaktohen më tej përmes notave diplomatike.

Kryeministri vlerësoi se në Bashkimin Evropian tashmë është evidentuar keqpërdorimi i vetos nga disa vende anëtare, të cilat, sipas tij, përmes anëtarësimit të tyre tentojnë të zgjidhin çështje që nuk kanë të bëjnë me vlerat evropiane.

Sipas Mickoskit, inkurajuese është edhe ideja për integrim gradual në Bashkimin Evropian, ku Maqedonia e Veriut, siç tha ai, ka mundësi të mëdha, pasi i plotëson dy nga tre kushtet për fillimin e këtij procesi.

Advertisement

“Kushti i parë do të jetë i veçantë për secilin shtet dhe do të përfshijë reforma të caktuara që shteti duhet t’i realizojë dhe të cilat ende duhet të harmonizohen. Kushti i dytë është që vendi të ketë politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes, diçka që, siç tha edhe Von der Leyen, ne si shtet e kemi bërë të parët dhe tashmë e kemi të harmonizuar. Kushti i tretë ka të bëjë me sistemin e prokurimeve publike – një reformë që gjatë javës së ardhshme do ta përfundojmë dhe do ta miratojmë në Kuvend. Pra, dy nga tre kushtet i kemi përmbushur, ndërsa për të parin presim të na tregojnë se çfarë do të kërkohet nga ne si shtet nga ana e Komisionit Evropian”, tha kryeministri.

Dje, Mickoski priste vetëm një përgjigje nga pala bullgare, ndërsa sot flet për dialog.E njëjta çështje, fjali tjetër. Në këtë mënyrë kanë reaguar nga LSDM-ja.

Por kushti i parë, sipas kritikave, tashmë është përcaktuar. Afati ishte viti 2025 dhe ai ka skaduar. Më pas është shtyrë edhe për një vit, ndërsa më 1 qershor, sipas deklaratave të tij, pritej të kishte zhvillime të reja. Megjithatë, asgjë nuk është përfunduar. Reformat, tashmë pothuajse nuk përmenden më. Reforma e nevojshme lidhet me pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë, për këtë çështje ende nuk ka rezultate konkrete.

Ndërkohë, Komisioni Evropian prezantoi dje propozimet e reja për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Ato, ndër të tjera, parashikojnë integrim gradual të vendeve kandidate edhe para anëtarësimit formal, si dhe mekanizma më të fuqishëm mbrojtës në rast se një shtet i ri anëtar largohet nga detyrimet e tij pas anëtarësimit.

Advertisement
Exit mobile version