Site icon Tetova Expres

Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.

Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.

Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.

Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.

Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.

Advertisement

Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.

Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.

Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.

Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.

Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.

Advertisement

Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.

Exit mobile version