Vendi ynë është përfshirë nga një valë e ftohtë ajri që vjen nga veriu, duke sjellë ulje të temperaturave, erë të fortë dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit.
Sot në mëngjes u regjistruan 0.5 gradë Celsius në Kodrën e Diellit dhe 9.7 gradë në Tetovë.
Ditëve të fundit, moti ishte me vranësira të ndryshueshme dhe relativisht i ftohtë, ndërsa në shumë zona frynte erë e fuqishme nga drejtimi verior dhe veriperëndimor.
Shpejtësia e erës, lokalisht, kalonte 60 kilometra në orë.
Gjatë 24 orëve të fundit, nën ndikimin e një vale të lagësht ajrore të lidhur me aktivitetin ciklonik mbi Greqi, reshje shiu pati në pjesën më të madhe të vendit.
Reshjet më të dendura u regjistruan në rajonet lindore dhe juglindore, ndërsa në zonat malore mbi 1.500 metra lartësi pati edhe reshje të herëpashershme bore.
Moti i ftohtë dhe era e fortë na rikujtojnë se vjeshta po hyn në një fazë më të ftohtë, ndaj veshjet e ngrohta bëhen gjithnjë e më të domosdoshme./Tv Koha/
