Site icon Tetova Expres

TENSIONE NË SEANCËN E KËSHILLIT TË KOMUNËS SË TETOVËS

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Këshillin Komunal të Tetovës kanë kulmuar me bllokimin e seancës së 19 të Këshillit Komunal.

Këshilltarët e AKI-së kërkojnë që nga rendi i ditës të hiqen pikat 7 dhe 8, të cilat kanë të bëjnë me dy projekte të planifikuara përmes partneritetit publiko privat.

Opozita pretendon se përmes këtyre projekteve rrezikohet prona publike, ndërsa nga pushteti thonë se bëhet fjalë për investime të rëndësishme për qytetin.

Pika e shtatë ka të bëjë me propozim-përfundimin për miratimin e studimit të fizibilitetit për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e një objekti administrativ-komercial për Komunën e Tetovës.

Ndërsa pika e tetë parasheh fillimin e procedurës për dhënien e kontratës përmes partneritetit publiko-privat për projektimin, financimin, ndërtimin, pajisjen, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të zjarrfikësve dhe objektit komunal.

Advertisement

Nga opozita thonë se nuk janë kundër investimeve, por kundërshtojnë mënyrën se si synohet të realizohen këto projekte.

BERAT MURATI, AKI “Do ta bllokojmë seancën tërë ditën dhe do të vazhdojmë ta bllokojmë. Ne nuk jemi kundër investimeve, por kjo është një vjedhje klasike, një vjedhje e poshtër klasike. Nuk jemi kundër investimeve në Tetovë, jemi pro tyre, por jemi kundër vjedhjeve. Prandaj, sot tërë ditën do të rrimë këtu në protestë dhe do ta bllokojmë seancën.”

ARLIND MURTEZANI, LSH “Për pikën 7, e cila ka të bëjë me ndërtimin e objektit te zjarrfikësit, duhet të theksohet se ky projekt është në vazhdën e projekteve kontroverse të kësaj udhëheqësie. Kjo udhëheqësi e filloi mandatin në Tetovë duke shitur ndërmarrjen e mbeturinave, vazhdoi me ndriçimin publik dhe më pas me Monopolin.”

Edhe nga këshilltarët e grupit „Më Mirë për Tetovën“ kundërshtojnë mënyrën e planifikuar të realizimit të projekteve. Ata vlerësojnë se studimi i fizibilitetit është joserioz dhe se propozimi nuk duhet të kalojë në Këshillin Komunal.

AGRON ARIFI, „MË MIRË PËR TETOVËN“ “Por kjo ka të bëjë me një privatizim, me një vjedhje flagrante, për të cilën vetëm dje, brenda dy orësh e 17 minutash, është përmirësuar tabela, duke u shtuar katër milionë euro, pasi llogaritjet fillestare kishin dalë gabim. Unë mendoj se kjo është e papranueshme dhe se kemi të bëjmë me një studim fizibiliteti tejet joserioz. Nuk guxon që ky studim fizibiliteti amator, i cili na është prezantuar neve si këshilltarë, të kalojë në Këshillin Komunal”, ka theksuar këshilltari i „Më Mirë për Tetovën“.

Advertisement

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se pikat nuk duhet të hiqen nga rendi i ditës. Sipas tij, çështjet duhet të trajtohen përmes debatit, argumenteve dhe propozimeve konkrete, duke theksuar se komuna është e hapur edhe për sugjerime alternative.

“Do të ketë debat publik dhe ne jemi të hapur. Nëse kanë ekspertë që mund të ofrojnë një studim më të mirë, ne jemi të gatshëm ta pranojmë. Pra, këtu fillon debati për këtë temë të rëndësishme për Komunën e Tetovës. Nëse ka të interesuar, debati do të vazhdojë, qoftë për një ditë, një javë apo një muaj, sepse ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Ky projekt është një nga projektet më kapitale për Tetovën dhe jemi të gatshëm të bisedojmë me këdo për këtë temë”

Këshilltarët opozitarë protestuan edhe ditë më parë para objektit të zjarrfikësve në Tetovë, ku kërkuan të mos miratohet ky propozim. Ata paralajmërojnë se protestat dhe bllokadat do të vazhdojnë derisa pikat 7 dhe 8 të hiqen nga rendi i ditës.
Përplasja tashmë nuk është vetëm për dy pika të rendit të ditës, por për mënyrën se si do të menaxhohet prona publike dhe kush do të mbajë përgjegjësi për vendimet që merren në emër të qytetarëve.

Ndërsa opozita kërkon të ndalet procedura, pushteti këmbëngul në debat.

Mbetet të shihet nëse argumentet do ta zhbllokojnë seancën apo nëse Tetova do të përballet me një tjetër përplasje politike në Këshillin Komunal. TV KOHA

Advertisement
Exit mobile version