Byroja Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara (FBI) e ka përgëzuar publikisht policinë e Maqedonisë së Veriut për arrestimin e suksesshëm të administratorit të platformës kriminale online OLVX, përmes së cilës në mënyrë të paligjshme tregtoheshin të dhëna personale të vjedhura dhe informacione për qasje në llogari të përdoruesve.
Në një publikim në rrjetet sociale, FBI-ja ka shprehur vlerësimin për partnerët e saj nga Njësia për Krime Kompjuterike pranë Byrosë së Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar se bëhet fjalë për operacionin e parë të përbashkët kibernetik të koordinuar ndërmjet dy institucioneve.
Sipas byrosë amerikane të hetimeve, platforma kriminale OLVX ka qenë aktive në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2025. Përmes më shumë se 1.500 llogarive të shitësve, dyshohet se janë shitur në mënyrë të paligjshme të dhëna personale dhe informacione për hyrjen në profilet e përdoruesve.
“Ekzistenca e këtij tregu e rrezikonte drejtpërdrejt sigurinë digjitale të mijëra qytetarëve amerikanë, të cilët mbështeten në sigurinë e llogarive të tyre të përdoruesve Ekzistenca e këtij tregu e ka vënë drejtpërdrejt në rrezik sigurinë digjitale të mijëra qytetarëve amerikanë, të cilët mbështeten në integritetin dhe sigurinë e llogarive që përdorin”, thuhet në publikimin e FBI-së.
Vlerësimi i FBI-së vjen pas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas të cilit, në kuadër të një hetimi të koordinuar me autoritetet amerikane, është zbuluar administratori i platformës OLVX.
Sipas MPB-së, bëhet fjalë për një 20-vjeçar nga Reçica e Madhe, e Tetovës, kundër të cilit Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë.
Ai dyshohet për veprat penale “mashtrim kompjuterik”, “keqpërdorim i të dhënave personale” dhe “prodhim dhe shpërndarje e pornografisë me fëmijë”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, hetimi ka nisur mbi bazën e informacioneve të siguruara nga FBI-ja, pas së cilës është zhvilluar një aksion i koordinuar ndërmjet dy institucioneve.
/Tv Koha/
