Site icon Tetova Expres

MICKOSKI: FESTA PËR GRUBIN – “ESTRADA” E KËTILLË NUK E NDIHMON BDI-në!

Edhe pas 48 orësh, festa e organizuar nga aktivistët dhe mbështetësit e BDI-së me rastin e lirimit të Artan Grubit nga paraburgimi shtëpiak vazhdon të ngjallë reagime në skenën politike.

Për këtë ngjarje ka folur edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se thelbësore është distancimi i familjes Grubi dhe i palës mbrojtëse nga organizimi i festës.

Sipas Mickoskit, aktivistët dhe mbështetësit, duke organizuar festime të tilla, mund t’u shkaktojnë më shumë dëm personave për të cilët pretendojnë se po i mbështesin.

“Sa i përket atmosferës që u krijua, unë lexova mbrëmë një tekst në të cilin i akuzuari Artan Grubi dhe familja e tij u kërkojnë falje qytetarëve të cilët mund të jenë shqetësuar nga mënyra e festimeve. Ata as nuk janë organizatorë, e as nuk kanë qëllim të jenë organizatorë të ngjarjeve të tilla. Mendoj se kjo është pjesë e mentalitetit të personave që mendojnë se me organizime të tilla u ndihmojnë bashkëpartiakëve të tyre. Megjithatë, mendoj se gabojnë.”

Ndryshe, më 13 tetor, qindra aktivistë dhe mbështetës të BDI-së organizuan pritje me fishekzjarrë dhe flakadanë për të shënuar lirimin e Grubit nga paraburgimi shtëpiak, pas më shumë se tetë muajsh të kaluar nën këtë masë.

Advertisement

Kujtojmë se Artan Grubi është i akuzuari i dytë në rastin “Llotaria” dhe, sipas masave të përcaktuara ka detyrimin të paraqitet në gjykatë. Ndërkohë, gjykata ka refuzuar kërkesën për kthimin e dokumenteve të udhëtimit kundrejt një garancioni prej më shumë se 300 mijë eurosh.

Exit mobile version