Kompania “Kromberg & Schubert” po nis një projekt të ri investues në Manastir, përmes të cilit, në katër vitet e ardhshme, pritet të hapen edhe 2 mijë vende të reja pune.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se në kuadër të projektit do të prodhohen komponentë automobilistikë për gjigantin gjerman të industrisë së automobilave, “Audi”.
Sipas Mickoskit, ky investim paraqet një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit të Pellagonisë dhe të vendit në tërësi, si dhe dëshmon se Maqedonia e Veriut disponon fuqi punëtore të kualifikuar.
“Projekti parasheh edhe përfshirjen e teknologjive më të reja dhe digjitalizimin e të gjithë procesit. Kromberg & Schubert deri më tani ka realizuar tri investime në zonën industriale ‘Zhabeni’. Në Manastir kemi rreth 5.300 të punësuar, ndërsa në Shkup janë mbi 1.700. Me këtë projekt synojmë që numri i përgjithshëm i të punësuarve të arrijë në 10 mijë. Kjo tregon besimin e madh që kompania ka në vendin tonë”
Në konferencën për media, së bashku me kryeministrin, ishte i pranishëm edhe drejtori komercial i kompanisë, Georgi Trinkovski. Ai bëri të ditur se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve në kuadër të projektit të ri pritet të jenë inxhinierë, ndërsa synimi është që ekspertiza e inxhinierëve vendorë të zëvendësojë gradualisht atë të inxhinierëve gjermanë.
“Jemi shumë të kënaqur me kuadrin tonë dhe njohuritë e tyre teknologjike. Me kryeministrin kemi biseduar për teknologjitë e reja dhe kapacitetet që posedojnë punonjësit tanë. Kjo do të nënkuptojë edhe bashkëpunim më të mirë me institucionet arsimore dhe universitetet, përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale”
Në përfundim, Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë të fokusohet te investimet kapitale, realizimi i projekteve dhe mbështetja e iniciativave private që mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mundësive për punësim me paga më të mira.
