Site icon Tetova Expres

BËRVENICA TË DIELËN ZGJEDH KRYETARIN E RI TË KOMUNËS – GJASHTË KANDIDATË NË GARË!

Banorët e Komunës së Bërvenicës të dielën, më 18 tetor 2026, do të dalin në zgjedhje të parakohshme lokale për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme u shpallën pas vdekjes së papritur dhe të parakohshme të kryetarit të deritanishëm, Jovica Ilievski, në qershor të këtij viti.

Fushata për zgjedhjet e parakohshme në Komunën e Bërvenicës po hyn në fazën përfundimtare, para fillimit të heshtjes zgjedhore, sonte në mesnatë.

Komuna, e cila sipas regjistrimit të fundit të popullsisë ka një strukturë specifike multietnike, me rreth 54 për qind shqiptarë dhe 45 për qind maqedonas, përballet me një sprovë serioze politike, ku partnerët e koalicionit në nivel qendror garojnë të ndarë dhe drejtpërdrejt kundër njëri-tjetrit.

Në fletëvotimin e së dielës, banorët e dhjetë vendbanimeve të komunës do të mund të zgjedhin mes katër blloqeve politike dhe dy kandidatëve të pavarur.

Beteja kryesore politike zhvillohet mes disa kandidatëve nga kampi politik maqedonas dhe ai shqiptar.

Advertisement

Nga radhët e koalicionit „Maqedonia Yte”, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, kandidat është juristi i diplomuar Stojanço Radiçeski.

Kundërshtari i tij kryesor nga blloku maqedonas është veterineri me profesion dhe këshilltari aktual, Jovica Radeski, i cili garon si kandidat i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja.

Nga blloku politik shqiptar, koalicioni VLEN garon me kandidatin e tij, Jakup Useini, ndërsa koalicioni „Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI) ka kandiduar juristin dhe këshilltarin shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, Arkin Jahiji.

Përveç tyre, në garën zgjedhore marrin pjesë edhe dy kandidatë të pavarur, të propozuar nga grupe votuesish, Arife Idrizi dhe Dushan Bogdanovski. Ata shpresojnë të tërheqin votat e qytetarëve të pavendosur, të cilët kërkojnë një alternativë jashtë blloqeve të mëdha partiake.

Sipas planit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të sëmurët, personat e pafuqishëm dhe personat që ndodhen në institucionet ndëshkuese-korrektuese do ta realizojnë të drejtën e tyre të votës të shtunën, më 17 tetor.

Advertisement

Ndërsa dita kryesore e zgjedhjeve për të gjithë qytetarët e tjerë është e diela, me fillim nga ora 07:00.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk siguron shumicën e nevojshme në raundin e parë, Bërvenica do të përballet me një raund të dytë të votimit pas dy javësh.

Për zgjedhjet e vitit 2025, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kishte regjistruar 15.239 qytetarë me të drejtë vote në Komunën e Bërvenicës, të cilët votuan në gjithsej 24 vendvotime.

Për zgjedhjet e parakohshme të së dielës, numri i votuesve të regjistruar mbetet përafërsisht në të njëjtin nivel, sipas përditësimeve zyrtare të Listës Zgjedhore. TV KOHA

Advertisement
Exit mobile version