Rrugët e Tetovës u shndërruan në një skenë të hapur artistike, ku drita, muzika, vallëzimi dhe imagjinata krijuan një atmosferë të veçantë, duke u dhuruar qytetarëve një përjetim kulturor ndryshe nga zakonisht.
Spektakli francez « La Danse des Chrysalides de la Mer », i realizuar nga kompania artistike franceze Cie Gëam, solli në zemër të qytetit një performancë poetike dhe vizuale, që ndërthurte lëvizjen, dritën dhe muzikën.
Ky aktivitet u organizua nga Aleanca Franceze në Tetovë, në bashkëpunim me Institutin Francez në Shkup dhe me mbështetjen e Pallatit të Kulturës në Tetovë.
Artistët francezë Olivier, Véronique dhe Alice krijuan një atmosferë magjike, duke e kthyer hapësirën publike në një vend takimi mes artit dhe qytetarëve.
Në këtë vit të veçantë, kur Aleanca Franceze në Tetovë feston 25-vjetorin e themelimit, organizatorët dëshironin të vazhdojnë të sjellim projekte që frymëzojnë, bashkojnë dhe pasurojnë jetën kulturore të Tetovës.
Ata kanë falënderuar Institutin Francez në Shkup dhe Pallatin e Kulturës në Tetovë për bashkëpunimin e çmuar, artistët për magjinë që dhuruan dhe të gjithë qytetarët që u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme.”
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Aleancës Franceze në Tetovë për promovimin e gjuhës dhe kulturës franceze, forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe pasurimin e jetës artistike në qytet.
Sepse arti nuk njeh kufij dhe ndonjëherë mjafton një rrugë, pak dritë dhe njerëz që dinë të ëndërrojnë për të krijuar magji, thonë nga Aleanca Franceze. TV KOHA
