Dje ishte një ditë mjaft e tensionuar në futbollin maqedonas, pas gjithë asaj që ndodhi pas ndeshjes ndërmjet Shkëndijës së Haraçinës dhe Strugës TL, e cila përfundoi me fitoren 0:2 të mysafirëve.
Më pas pasoi një shkëmbim reagimesh me Organizatën e Gjyqtarëve dhe FFM-në, ku të dyja palët u përpoqën të argumentonin se kush kishte të drejtë. Ndërkohë, vonë mbrëmë, drejtuesit e Shkëndijës së Haraçinës mbajtën një takim.
Në këtë takim u shqyrtua e gjithë situata dhe u paralajmëruan hapa konkretë që klubi do t’i ndërmarrë duke filluar nga nesër. Sipas informacioneve, drejtuesit e klubit kanë marrë mbështetje për të gjitha veprimet që do të ndërmerren në ditët në vijim.
Mesazhi i klubit është i qartë: Shkëndija e Haraçinës nuk do të tolerojë padrejtësi.
Paraprakisht Shkëndija e Haraçinës njoftoi opinionin se gjyqtari Ilioski ka kontaktuar personalisht kapitenin, Besir Demiri, duke i kërkuar falje për incidentin e ndodhur, ku e kishte quajtur “majmun analfabet”
“E vlerësojmë këtë gjest dhe gatishmërinë e gjyqtarit për të pranuar gabimin dhe për të kërkuar falje. Besojmë se pranimi i gabimit është një hap i rëndësishëm drejt reflektimit dhe përgjegjësisë personale” – thonë nga Shkëndija e Haraçinës.
Nga ana tjetër, FFM-ja përmes komunikatës ka njoftuar se vendimet e kontestuara të minutës së 24 kanë qenë të rregullta, konform rregullave të futbollit dhe protokollit VAR. FFM-ja ka paralajmëruar se do të inicojë procedurë disiplinore kundër haraçinasve.
Sipas FFM-së, përfaqësues të Shkëndisë së Haraçinës dhe persona tjerë, pas ndeshjes, kanë hyrë në zhveshtoren e referëve dhe kanë ofenduar referët dhe personat zyrtar.
Por, nga KF Shkëndija e Haraçinës nuk janë ndalur me kaq! Ata kanë publikuar një video ku sipas tyre, shihet futbollisti I Vardarit Azer Omeragiq duke goditur një futbollist kundërshtar.
“Nëse e ke mbiemrin Omeragiq, me sa duket mund të sillesh edhe kështu në fushën e futbollit dhe të kalosh pa u ndëshkuar, madje edhe pa u akorduar faull.A janë këto rregullat e futbollit që ne nuk i dimë? Apo ndoshta goditja me grusht tashmë lejohet në futboll? – pyesin nga Shkëndija e Haraçinës.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet konkrete të klubit dhe si do të zhvillohen ngjarjet.
Në çdo rast, priten zhvillime të reja dhe tronditje të tjera në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
