Në Komunën e Bërvenicës do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune, ku do të përballen kandidatët e koalicioneve të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe BDI, Stojançe Radichevski dhe Arkin Jahiu, tregojnë rezultatet fillestare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia Yte”, Stojançe Radiçevski, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, sipas rezultateve të KSHZ-së.
Pas përpunimit të të dhënave nga të gjitha 24 vendvotimet, Radiçevski ka fituar 2.943 vota, përkatësisht 38,90 për qind. Në vendin e dytë renditet Arkin Jahiu nga Aleanca Kombëtare për Integrim, me 2.152 vota ose 28,45 për qind, ndërsa Jakup Huseini nga koalicioni VLEN ka marrë 1.528 vota, përkatësisht 20,20 për qind.
Jovica Radeski nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja ka marrë 706 vota. Kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski ka fituar 55 vota, ndërsa kandidatja e pavarur Arife Idrizi ka marrë 21 vota.
Dalja në votime ishte 46,56 për qind. Në këto zgjedhje janë regjistruar edhe 160 fletëvotime të pavlefshme. Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 16.256 qytetarë.
Këto janë zgjedhjet e dyta për kryetar të Komunës së Bërvenicës brenda një periudhe prej rreth një viti. Zgjedhjet e parakohshme u shpallën pas vdekjes së ish-kryetarit të komunës, Jovica Ilievski nga VMRO-DPMNE-ja.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Bërvenicës janë regjistruar gjithsej 18.319 persona, prej të cilëve 13.645 janë banorë rezidentë.
Në mesin e popullsisë rezidente, shqiptarët janë komuniteti më i madh etnik, me 7.737 banorë, ndërsa maqedonasit numërojnë 5.715 banorë. Pjesa tjetër u përket komuniteteve të tjera etnike ose përbëhet nga persona për të cilët nuk ka të dhëna mbi përkatësinë etnike.
