Një model i ri “84% shqip me 16% maqedonisht” i propozuar nga Ministria e Drejtësisë është vënë sot në tryezën e bisedimeve me kryetarët e forumeve studentore të Universitetit “Nënë Tereza”, UEJL-së, UNT-së e të tjerë. Mesditën e së hënës, takimin me Shasivarin që zgjati rreth dy orë, studentët e quajtën të suksesshëm por pa marrëveshje.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, shpalosi zgjidhjen ligjore që parasheh që 10 provimet teorike nga gjithsej 12 të zhvillohen në gjuhë të tjera siç tha ai, ndërsa 2 provimet e fundit praktike të mbeten në maqedonisht, me përkthyes në gjuhën amë, të cilat do të mbahen nëpër institucionet gjyqësore.
Por studentët shqiptarë e kundërshtojnë këtë model sepse thonë se nuk është i plotë! Edhe pse ata e quajnë arritje, studentët kërkojnë që provimi, përfshirë edhe pjesën praktike, të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe. Pritet të mbahet takim tjetër, përndryshe studentët do të dalin në protestën e pestë deri në arritjen e 100%, siç thonë ata për zbatimin e të drejtës ligjore të përdorimit të gjuhës shqipe.
Është propozuar që ky model të dërgohet për mendim edhe në Komisionin e Venecias, të cilët kanë sesion me 11-12 dhjetor, kur pritet ta kalojnë dhe pastaj si projekt-ligj të votohet në Kuvend.
