Site icon Tetova Expres

Fund largimit nga Armata pas moshës 45-vjeçare! Ushtarët mund të vazhdojnë punën me paga të pandryshuara

Ushtarët profesionistë në Maqedoninë e Veriut do të kenë mundësi të vazhdojnë punën në Armatë edhe pas moshës 45-vjeçare, por me statusin e personelit civil dhe me kontratë pune me afat të pacaktuar.

Vendimi është miratuar sot nga Qeveria, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, deklaroi se me këtë zgjidhet një problem shumëvjeçar i ushtarëve profesionistë.

Pagat bazë dhe të gjitha shtesat do të mbeten të pandryshuara, ndërsa ushtarët do të vazhdojnë të kenë mundësinë e marrjes së kompensimit për largim ose të transferimit në institucione të tjera.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, sqaroi se ushtarët që zgjedhin të qëndrojnë do të angazhohen kryesisht në sigurimin e kazermave, objekteve dhe pronës ushtarake.

Sipas vlerësimeve fillestare, rreth 100 ushtarë profesionistë mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi që në vitin 2027. Pensionimi do të vazhdojë sipas rregullave ekzistuese.

Advertisement
Exit mobile version