Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot njëzëri miratoi konkluzionin për përfundimtarësinë e rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ku më 1 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë.
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, në seancën e sotme të 23-të, informoi se kanë skaduar të dy afatet ligjore për paraqitjen e ankesave, ndërsa në Komision nuk është dorëzuar asnjë ankesë.
“Për opinionin dëshiroj të informoj se kanë skaduar të dy afatet për paraqitjen e ankesave: ai për procedurën e votimit, i cili përfundoi dje në orën 19:00, si dhe ai për procedurën e përcaktimit dhe përmbledhjes së rezultateve të votimit, i cili zgjati deri sot në orën 12:30. Deri në skadimin e këtyre dy afateve, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nuk është paraqitur asnjë ankesë”, tha Mariçiq.
Sipas konkluzionit të miratuar, pas votimit të mbajtur më 18 tetor, në të cilin nuk u zgjodh kryetari i komunës në raundin e parë, raundi i dytë në Bërvenicë do të mbahet më 1 nëntor.
Në raundin e dytë do të garojnë kandidati me numër rendor 1, Stojanço Radiçevski, nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, dhe kandidati me numër rendor 6, Arkin Jahiji, nga Aleanca Kombëtare për Integrim.
