Shëndeti i qytetarëve është mbi gjithçka dhe nuk duhet të rrezikohet nga tregtia e paligjshme e barnave, ka shkruar në Facebook, Zv/Drejtori i Doganave, Mustafa Dauti, teksa ka njoftuar për një tjetër aksion anti-trafikim të Doganave.
Ekipet mobile të Doganës, në pikën kufitare të Bogorodicës, kanë parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 29 flakonëve të barit „Xgeva“, që përdoret në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje, me vlerë rreth 336 mijë denarë. Gjatë rastit janë zbuluar edhe 29 kuti dhe 30 etiketa vetëngjitëse, të fshehura në kutinë e ndihmës së parë brenda një autobusi.
Barnat transportoheshin në kundërshtim me procedurat e përcaktuara për importin dhe transportin e tyre. Për rastin është ngritur kallëzim penal ndaj personit të dyshuar.
Vetëm gjatë këtij viti, Drejtoria e Doganave ka sekuestruar mbi 30.000 njësi barnash në raste të lidhura me kontrabandën.
Përtej shkeljes së ligjit, tregtimi dhe transportimi i pakontrolluar i barnave paraqet rrezik serioz për shëndetin e njerëzve. Barnat duhet të ruhen dhe të transportohen sipas kushteve të përcaktuara, në mënyrë që të garantohet siguria dhe cilësia e tyre.
Drejtoria e Doganave vazhdon angazhimin për mbrojtjen e shëndetit publik, zbatimin e ligjit dhe parandalimin e çdo forme të kontrabandës që rrezikon qytetarët.
