Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve po e rrit edhe revoltën e qytetarëve të cilët ankohen për disbalanc mes të hyrave dhe harxhimeve të patjetërsueshme. Pagat dhe pensionet nuk mund të mbulojnë nevojat elemtare të qytetarëve, siç janë ushqimi, shëndetësia dhe arsimimi. Këtë nuk e thomë ne si televizion, por e thonë pjesa dërmuese e qytetarëve, disa prej të cilëve sot i anketuam.
Disa nga të anketuarit thonë se gjendja e qytetarëve në përgjithsi është rënduar dhe se institucionet komptente duhet të marrin masa për rritjen e menjëhershme të pagave dhe të pensioneve.
Por ka edhe të tillë që u bëj apel rinisë që të ngrisin zërin dhe të protestojnë sikur në shtetet perëndimore, ku si pasojë e shtrenjtimeve dhe ekonomisë së dobët, po zhvillohen protesta të dhunshme kundër pushteteve.
Kujtojmë se shporta konsumatore e sindikatës, për një familje katër anëtarëshe ka arritur në 70.358 denarë në muaj, që i bie mbi 1100 euro. Pra, nëse në një familje punojnë dy persona, me nga 500 euro pagë, përsëri mungojnë 100 euro për përmbushjen e kushteve elementare. Kjo gjendje rëndohet edhe më shumë dimrit kur faturat e energjisë elektrike në shumicën e amvisërive kalojnë 12 mijë denarë në muajt. Pavarësisht rëndesës dhe ngarkesës që e ka populli nga kjo krizë, revolta është shumë e vogël, ose aq shprehet. Agonia vazhdon, populli mbijeton!/Tv Koha/
