Mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe diskutime thelbësore për zhvillimin ekonomik. Këto janë pritshmëritë e kryeministrit Hristijan Mickoski nga Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Para fillimit të takimeve, Mickoski theksoi se dosja e Maqedonisë është e ndërlikuar dhe se vendi prej kohësh e ka merituar t’i nisë negociatat për anëtarësim, të cilat ende nuk kanë filluar për shkak të, siç tha ai, arsyeve artificiale. Megjithatë, ai konfirmoi se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës së reformave dhe rrugës evropiane.
Në fjalimin e tij, Mickoski u ndal edhe te situata e ndërlikuar gjeopolitike dhe ekonomike, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe luftën me Iranin, krizën në tregjet financiare, si dhe protestat nëpër Evropë. Ai theksoi gatishmërinë e vendit për të kontribuar në tejkalimin e këtyre sfidave.
“Dosja e Maqedonisë është shumë e ndërlikuar. Prej kohësh e kemi merituar të jemi pjesë e BE-së, por, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje t’i fillojmë negociatat. Po jetojmë në kohë shumë sfiduese. Me gjasë, jemi dëshmitarë të disa prej periudhave më sfiduese që njerëzimi mund t’i kujtojë në këtë shekull: lufta e Rusisë në Ukrainë, si dhe lufta me Iranin, kriza në tregjet financiare, protestat në të gjithë Evropën dhe gjithçka që lidhet me to. Prandaj, duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë në botë, veçanërisht në Evropë, ndërsa Qeveria ime është fuqishëm e përkushtuar të kontribuojë në këtë drejtim”, deklaroi Mickoski para fillimit të Samitit.
Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është një objektiv i arritshëm, ndërsa vendi ka shënuar përparim të madh dhe pothuajse i ka përmbyllur negociatat e anëtarësimit, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz në Samitin e sotëm.
Ai theksoi se reformat, vullneti politik dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Merz nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së paqes, refuzimit të dhunës dhe tejkalimit të së kaluarës, duke vënë theks të veçantë te nevoja për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Protestat në rajon na kujtojnë se duhet të vazhdojmë me zgjerimin dhe forcimin e paqes. Kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Evropian apo diku tjetër, dhuna nuk duhet të jetë alternativë për asnjërën palë. Është shumë e vështirë të përparojmë nëse e kaluara vazhdimisht na pengon. Polarizimi nuk do të sjellë kurrë një Evropë më të suksesshme. Ne e kemi refuzuar glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe, nëse duam një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i nxisim më tej konfliktet. Duhet ta normalizojmë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Merz.
Merz bëri thirrje për përgjegjësi dhe hapa konkretë në zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon, duke theksuar se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në Samitin, i cili kryesohet nga kryeministri malazez Milojko Spajiq, në fokus janë forcimi i Tregut të Përbashkët Rajonal, siguria dhe tranzicioni i gjelbër.
