Site icon Tetova Expres

Sukses i rëndësishëm i ekipeve të snajperistëve të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” në garën ndërkombëtare “BORAN 8” në Turqi

Ekipet e snajperistëve të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” kanë arritur sukses të rëndësishëm në garën prestigjioze ndërkombëtare të qitjes me snajper “BORAN 8”, e cila u zhvillua në Republikën e Turqisë.
Në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e 48 ekipeve nga 22 shtete, pjesëtarët e forcave speciale të Maqedonisë së Veriut zunë vendin e nëntë, duke dëshmuar gatishmërinë, profesionalizmin dhe aftësinë e tyre për të konkurruar në kushte të barabarta me ekipe elitare nga vende të ndryshme. Shtatë vendet e para u takuan ekipeve nga Turqia, ndërsa vendin e tetë e zuri një ekip nga Azerbajxhani.
Rezultat veçanërisht mbresëlënës pjesëtarët e forcave speciale të Maqedonisë së Veriut arritën në disiplinën e qitjes me pistoletë, duke grumbulluar gjithsej 2.098 pikë, dukshëm mbi mesataren e garës, e cila ishte 1.173 pikë.
Përveç rezultateve të arritura në garë, ekipi i Maqedonisë së Veriut mori vlerësim edhe për qëndrimin profesional dhe frymën sportive, duke u përzgjedhur ndër tri ekipet më të mira në kategorinë “Fair Play”.
Me shkathtësitë e dëshmuara, nivelin e lartë të gatishmërisë, profesionalizmin dhe qëndrimin korrekt ndaj pjesëmarrësve të tjerë, pjesëtarët e Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” e përfaqësuan denjësisht shtetin në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar edhe një herë kapacitetet e tyre profesionale. TV KOHA
Exit mobile version