Nga e enjtja, qytetarët do të mund t’i përdorin letërnjoftimet dhe patentë shoferët përmes telefonit mobil, me fillimin e zbatimit zyrtar të portofolit elektronik. Aplikacioni do të promovohet të mërkurën, më 28 tetor.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sqaroi se aplikacioni është i sigurt dhe u mundëson përdoruesve të zgjedhin vetë se cilat të dhëna personale dëshirojnë të ndajnë.
Gjatë identifikimit në bankë, bar apo në ndonjë lokal tjetër, qytetarët nuk do të kenë nevojë t’i zbulojnë të gjitha të dhënat që përmbajnë dokumentet e tyre.
Në vend të kësaj, ata do të mund të ndajnë vetëm informacione të caktuara përmes një kodi QR për përdorim të vetëm.
Kodi mund të skanohet, ndërsa të dhënat do të jenë të qasshme vetëm me lejen e përdoruesit. Pas 10 deri në 15 sekondash, kodi skadon dhe nuk mund të përdoret përsëri.
Andonovski theksoi se kjo është faza e parë drejt krijimit të një portofoli digjital evropian, i cili synon të mundësojë digjitalizimin e plotë të dokumenteve.
Ai shpreson se me zhvillimin e mëtejshëm të aplikacionit do të shtohen shërbime, mundësi dhe dokumente të reja për qytetarët.
Ministri i bëri këto deklarata para fillimit të panel-diskutimit me temë „Parakushtet dhe sfidat për digjitalizimin e përshpejtuar të sektorit privat“.
