Site icon Tetova Expres

ALBULENA HAXHIU NË KONDOVË, RIKTHEHET NË SHTËPINË QË E STREHOI GJATË LUFTËS

Nga ditët e vështira të luftës, te kujtimet e paharruara të bankës shkollore. Gjatë qëndrimit në Shkup, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u rikthye në Kondovë të Sarajit, aty ku dikur gjeti strehim si refugjate dhe ku ndau vitet e shkollimit me shokët e shoqet e klasës. Një vizitë mes emocionesh, nostalgjisë dhe kujtimeve që as vitet, as rrugët e ndryshme të jetës nuk i kanë fshirë.

Pas takimeve me liderët shtetërorë dhe politikë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, ka zhvilluar edhe një vizitë tejet emocionale, të mbushur me kujtime nga e kaluara.

E shoqëruar nga delegacioni i saj, Haxhiu, pas përfundimit të vizitave zyrtare, ka vizituar familjen Sinani në Kondovë të Sarajit, ku kishte qëndruar si refugjate gjatë luftës të viteve 1998-1999 në Kosovë.

Pamjet dhe fotografitë nga kjo vizitë janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Vizitën në Kondovë edhe më emocionale e ka bërë edhe një koment i publikuar nga Ferinaz Fazli, shoqja e klasës me të cilën Albulena Haxhiu kishte ndarë bankën shkollore në fshatin Kondovë.

Advertisement

FERINAZ FAZLI – SHOQE E ALBULENA HAXHIUT

“Me ardhjen tuaj na nderuat dhe na rikujtuat se, pavarësisht se ku na çon jeta dhe çfarë përgjegjësish mbajmë, rrënjët dhe kujtimet tona mbeten gjithmonë pjesë e zemrës. Për mua është një emocion edhe më i veçantë, sepse pata nderin të ulem në të njëjtën bankë shkollore me ju. Kush do ta mendonte atëherë se, pas kaq shumë vitesh, rrugët e jetës do t’ju çonin në një pozitë kaq të lartë në Kosovë dhe se një ditë do të riktheheshit në vendin ku dikur kemi ndarë kujtimet tona shkollore”.

Ndërkohë, TV Koha ka siguruar edhe një fotografi ku Albulena Haxhiu shihet së bashku me shokët dhe shoqet e klasës nga shkolla fillore “Bajram Shabani” në Kondovë./Tv Koha – Shkup/

 

Advertisement
Exit mobile version