Site icon Tetova Expres

“BETEJA” KUNDËR NDOTJES: MINISTRI HOXHA PARALAJMËROI PESË PLATFORMA DIGJITALE

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, ka prezantuar pesë modulet e iniciativës për transformimin e gjelbër përmes digjitalizimit, të cilat sipas tij, synojnë rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave administrative dhe përmirësimin e menaxhimit të të dhënave dhe proceseve që lidhen me mjedisin jetësor.

“E ardhmja nuk pritet. E ardhmja ndërtohet çdo ditë, përmes modernizimit dhe digjitalizimit. Për ne, digjitalizimi nuk është vetëm softuer. Ai është një instrument politik për drejtësi. Ai nënkupton transparencë të plotë. Aty ku ekziston një sistem digjital, nuk ka hapësirë për fshehje. Aty merr fund joefikasiteti i sistemit. Aty marrin fund lidhjet dhe ndikimi i faktorit njerëzor“

Në kuadër të këtyre masave, Hoxha bëri të ditur se është duke u realizuar edhe një projekt pilot për mbikëqyrjen e deponive ilegale përmes kamerave, i cili aktualisht po testohet në disa komuna.

“Jemi duke realizuar projektin pilot për mbikëqyrjen me kamera të deponive ilegale, i cili aktualisht po testohet në disa komuna. Kjo nuk është vetëm digjitalizim. Ky është një sistem i ri vlerash. Ky është transformimi ynë i gjelbër. Nuk kemi një planet rezervë dhe i kemi zgjidhjet e duhura. Nuk humbim më kohë“

Në fund, ministri theksoi se synimi i këtyre masave nuk është zbatimi i reformave sipërfaqësore, por realizimi i një transformimi thelbësor dhe rrënjësor në fushën e mjedisit jetësor./Tv Koha – Shkup/

Advertisement

Exit mobile version