Një vajzë 16-vjeçare është pacientja më e re që është trajtuar për goditje në tru në Klinikën e Neurologjisë në Shkup, rreth një muaj e gjysmë më parë.
Mjekët thonë se numri i rasteve të goditjeve në tru është në rritje dhe shqetësues është fakti se kjo sëmundje po prek edhe të rinjtë.
Sipas drejtorit të Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, faktorët kryesorë të rrezikut janë tensioni i lartë i gjakut, diabeti, kolesteroli i lartë, stili jo i shëndetshëm i jetesës, stresi, konsumimi i alkoolit dhe përdorimi i substancave psikotrope. Rrezik paraqet edhe faktori gjenetik.
Mjekët paralajmërojnë se 30 deri në 40 për qind e pacientëve mbeten me pasoja të përhershme, si paraliza, vështirësi në të folur dhe paaftësi.
Ata theksojnë se trajtimi në kohë është vendimtar për shpëtimin e jetës dhe parandalimin e pasojave të rënda.
“Çdo minutë ka rëndësi. Sa më shpejt të arrijë pacienti në klinikë, aq më të mëdha janë mundësitë për trajtim të suksesshëm”, thotë Bozhinovski.
Me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru, Klinika e Neurologjisë në Shkup do të organizojë nesër, nga ora 11:00 deri në 13:00, ekzaminime falas me Doppler të arterieve karotide për të gjithë qytetarët e interesuar.
Gjithashtu, po realizohen matje falas të tensionit të gjakut, sheqerit dhe kolesterolit, si dhe vlerësime të rrezikut për goditje në tru.
