Nga Tetova në Cyrih, nga sfidat e fillimit deri te majat e kardiokirurgjisë botërore. Prof. Dr. Omer Xhemaili, një nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, rrëfen rrugëtimin e tij profesional, sfidat që e formësuan dhe vizionin për të ardhmen e kirurgjisë së zemrës. Në një intervistë për revistën profesionale mjekësore “Vox Medici”, ai përcjell edhe një mesazh frymëzues për mjekët e rinj: suksesi kërkon sakrificë, përkushtim dhe guxim për të kërkuar më shumë, pa harruar kurrë rrënjët.
“Vox Medici” – Revista profesionale mjekësore që botohet çdo tre muaj nga Oda e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në edicionin e Shtatorit 2026, nën rubrikën “Rrëfime Mjekësore”, sic njofton Tv Koha, ka botuar një intervistë me kardiologun tetovar me përmasa botërore, Prof. Dr.Omer Xhemailin, aktualisht Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Zemrës në Spitalin Universitar të Cyrihut, në Zvicër dhe drejtues i Aleancës për Kirurgjinë e Zemrës në Cyrih, ku bashkëpunojnë Spitali Universitar dhe Spitali i Qytetit të Cyrihut.
Rrugëtimi i tij arsimor dhe profesional nga Tetova, përmes studimeve në Sarajevë dhe Majnc të Gjermanisë, deri te specializimi në Frankfurt, ishin në fokus të prononcimit të Omer Xhemailit.
Ai në këtë intervistë thotë se sfidat nuk ishin vetëm mjekësore.
OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih
“Si pjesëtar i komunitetit shqiptar në Maqedoni, në atë kohë nuk kisha mundësi të studioj mjekësinë në Shkup. Ishte ky një realitet për shumicën e gjeneratës sime dhe nuk dua t`i jap më shumë peshë se sa që e meriton, por është arsyeja përse rruga ime nisi jashtë vendit. Studimet i fillova në Sarajevë më 1990, kurse lufta i ndërpreu në 1992. Në Gjermani arrita pa e njohur gjuhën, pa rrjet dhe pa asnjë dokument të vlefshëm në atë sistem. Në Majnc nisa studimet nga fillimi dhe i përfundova në vitin 2000, kurse më pas gjithë specializimin e kalova në Frankfurt. Atë që mësova në ato vite është se njeriu që vjen nga jashtë duhet të jetë shumë më i mirë nga të tjerët. Kjo nuk është e drejtë, por është më lehtë të pranohet se sa të kontestohet”
Në intervistë, Omer Xhemaili, flet edhe për sfidën tjetër – kalimin në Zvicër. Sistemi gjerman dhe zviceran janë të ngjashëm, por të ndryshëm sipas kulturës.
Ai thotë se në Zvicër asgjë nuk zgjidhet sipas kierarkisë por përmes argumentit, cilësisë së të dhënave dhe besimit të ndërtuar ndër vite.
Pikërisht këto sfida, sic percjell Tv Koha, e kanë bërë Omer Xhemailin më të aftë duke mos u mbështetur në inercionin.
Por, cila është e ardhmja e kardiokirurgjisë në 10 vitet e ardhshme dhe sfidat me robotikën?
OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih
“Skalpeli nuk do të zhduket, por dora që e mban do të udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga teknologjia. Ndër afro 200 punimet e mia shkencore deri më sot, më të dobishmet kanë rezultuar gjithmonë ato që kanë gjetur zbatim të drejtpërdrejtë në sallën e operacionit.Në dhjetë vitet e ardhshme pres që robotika të bëhet standard për një pjesë të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe të mos konsiderohet më diçka e rrallë apo ekzotike. Gjithashtu, vendimet do të merren gjithnjë e më shumë në bazë të të dhënave dhe jo vetëm në bazë të përvojës personale. Ajo që nuk do të ndryshojë është fakti se dikush duhet të marrë përgjegjësinë kur plani nuk funksionon. Kjo përgjegjësi do të mbetet njerëzore.
Përkundër obligimeve në Zvicër, Prof.Dr. Omer Xhemaili vazhdimisht mban lidhjet me Maqedoninë, si Profesor në UT dhe ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.
Por, si i vlerëson kapacitetet aktuale dhe potencialin e kardiokirurgjisë në Maqedoninë e Veriut?
Në cilat segmente sheh hapësirën më të madhe për bashkëpunim, edukim dhe avancim të mjekëve të rinj në specializim?
OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih
Kuadri profesional është i mirë. Këtë nuk e them nga mirësjellja, por sepse kam punuar krah për krah me këta njerëz dhe e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Sot, vendi ka qendra me vëllim të konsiderueshëm të ndërhyrjeve dhe me rezultate që mund të krahasohen me ato ndërkombëtare. Njëra prej tyre bën pjesë ndër qendrat më të mëdha të kardiokirurgjisë në Ballkan dhe drejtohet nga një kirurg për të cilin kam respekt të sinqertë. Edhe vetë shkoj herë pas here atje për të kryer operacione në baza humanitare, te pacientët që kanë nevojë për ndihmë, dhe për mua kjo është një mënyrë krejt e natyrshme për të ruajtur lidhjen me ta.
Në fund të intervistës për “Vox Medici”, Prof.Dr. Omer Xhemaili, ka edhe një mesazh, në formën e këshillës apo vizionit për t`ua përcjellë mjekëve të rinj dhe specializantëve në Maqedoni, të cilët ëndërrojnë arritje të nivelit më të lartë në mjekësi, por përballen me sfidat e sistemit tone.
OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih
Së pari, zgjidhni një disiplinë për të cilën jeni të gatshëm të paguani një çmim, sepse majat e mjekësisë nuk arrihen me një orar të rregullt pune. Së dyti, kërkoni një mentor, jo thjesht një vend pune. Në vitet e para të karrierës, ka më shumë rëndësi se pranë kujt qëndroni sesa ku punoni. Së treti, mos prisni që sistemi të përmirësohet fillimisht. Sistemin e përmirësojnë njerëzit që qëndrojnë brenda tij dhe punojnë më mirë sesa pritet prej tyre. Unë u largova nga Tetova sepse koha dhe rrethanat vendosën kështu, e jo sepse dëshiroja të largohesha. Sot shoh kolegë që qëndrojnë dhe krijojnë diçka të vlefshme, dhe kam respekt të jashtëzakonshëm për ta. Dhe, së fundi, mos kini frikë të kërkoni më shumë. Kur mbërrita në Gjermani, nuk kisha asgjë, përveç gatishmërisë për të punuar. Kjo ishte e mjaftueshme atëherë, dhe është e mjaftueshme edhe sot.
Nga Tetova, ku nisi ëndrra e tij me mbështetjen dhe sakrificën e prindërve të tij, deri në Cyrih, ku sot drejton një nga qendrat e rëndësishme të kirurgjisë së zemrës, rrugëtimi i profesor Omer Xhemailit dëshmon se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti për të arritur majat.
Por, madhështia e një mjeku nuk matet vetëm me titujt, studimet shkencore apo operacionet e suksesshme. Ajo matet edhe me zemrat që shpëton, me dijen që ua përcjell brezave të rinj dhe me lidhjet që nuk i këput kurrë me vendlindjen.
Një rrëfim për një tetovar që sfidoi kufijtë, ndërtoi emër në arenën ndërkombëtare dhe vazhdon të dëshmojë se zemra e madhe e një mjeku rreh jo vetëm për pacientët, por edhe për vendin dhe njerëzit e tij./Tv Koha/
