Një ngjarje e pazakontë dhe tejet e rrezikshme është regjistruar në Meksikë, ku një burrë është larguar me makinën e tij pa kuptuar se kishte harruar foshnjën në shportën e saj, të vendosur mbi çatinë e automjetit. Fëmija shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda falë ndërhyrjes së një motoçiklisti dhe këmbënguljes së kalimtarëve që u përpoqën të ndalonin shoferin.
Ngjarja ndodhi në zonën Ávila Camacho, në qytetin Torreón. Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shportën me foshnjën mbi çatinë e makinës, ndërsa automjeti është në lëvizje. Një motoçiklist, i cili ishte dëshmitar i situatës, nisi t’i binte borisë dhe të bërtiste për të tërhequr vëmendjen e shoferit dhe për ta paralajmëruar që të ndalonte. Megjithatë, burri duket se nuk i dëgjon thirrjet dhe vijon udhëtimin.
Në një moment, pasi ndalon në anë të rrugës, ai përballet në mënyrë agresive me motoçiklistin, duke e pyetur se çfarë po ndodhte. Vetëm pasi merr shpjegimin, kupton se foshnja ndodhej mbi çatinë e makinës. I tronditur, ai nxiton të marrë shportën dhe ta vendosë brenda automjetit. Në video dëgjohet edhe foshnja duke qarë, ndërsa makina ishte ende në lëvizje. Sipas gazetës britanike “The Sun”, burri u shpreh më pas se një situatë e tillë “mund t’i ndodhte secilit prej nesh”, ndërsa i kërkoi motoçiklistit të fshinte videon e regjistruar. Deri më tani, nuk ka informacion nëse autoritetet kanë nisur një hetim për incidentin apo nëse janë marrë masa ndaj burrit. Po ashtu, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat në të cilat foshnja përfundoi mbi çatinë e automjetit.
© BalkanWeb