Klientët e “Alta Bankës” që nuk kanë kartela pagesore, nga e hëna, 9 nëntor 2026, do të mund të tërheqin para nga llogaritë e tyre edhe në ekspoziturat në Tetovë dhe Strumicë.
Nga java e ardhshme, limiti javor për tërheqjen e parave të gatshme dhe pagesat në pikat e shitjes me kartelat pagesore të “Alta Bankës” SHA Manastir do të rritet nga 10.000 në 15.000 denarë për një javë, njoftoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Ndër lehtësimet e paralajmëruara është edhe mundësia që klientët të tërheqin në tërësi mjetet e reja të deponuara nga pagat, pensionet dhe transferet sociale, nëse pagesat vijnë nga institucione ose kompani që kanë llogari në banka të tjera.
Kjo masë ka të bëjë vetëm me të hyrat e reja dhe jo me të gjitha mjetet që klientët tashmë i kanë në llogaritë e tyre.
Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Bankën” në vend, me kohëzgjatje prej tre muajsh, pas falimentimit të bankës amë në Beograd.
Me këtë masë u kufizua disponimi i mjeteve të klientëve, duke u përcaktuar shuma maksimale prej 20.000 denarësh për tërheqje.
Problemet nisën në Serbi, pas zgjedhjeve, kur më 30 tetor Banka Popullore e Serbisë ia hoqi licencën e punës “Alta Bankës” në Beograd, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare.
Pasojat u reflektuan edhe në funksionimin e “Alta Bankës” në vendin tonë.
