Nga 80 komuna në Maqedoninë e Veriut, 49 nuk kanë media të tyre lokale, tregon analiza e “Narrative AI”. Shumica prej tyre mbulohen nga media rajonale me seli në qytete më të mëdha dhe të afërta, por pesë komuna nuk kanë asnjë mbulim mediatik, as nga mediat tradicionale lokale dhe as nga ato rajonale, transmeton Portalb.mk.
Hulumtimi tregon se në Maqedoninë e Veriut aktualisht ekzistojnë 19 botime të shtypura, gazeta dhe revista. Prej tyre, 16 botohen nga shtëpi botuese me seli në Shkup, ndërsa nga një botues ka në Shtip, Sveti Nikole dhe Prilep.
Gjatë dekadës së fundit, sipas listës së botuesve të fshirë nga regjistri, janë çregjistruar 37 botime të shtypura, përfshirë shtatë gazeta të përditshme. Në mesin e tyre janë edhe dy botime nga botues në Manastir dhe një nga Shtipi.
Sipas të dhënave të paraqitura në analizë, në vend ka 59 radio-stacione, tetë me mbulim kombëtar, 14 rajonale dhe 36 lokale. Radio-stacione funksionojnë në Shkup, Manastir, Gjevgjeli, Gostivar, Kavadar, Kërçovë, Koçan, Kumanovë, Novo Sellë, Prilep, Shtip, Strugë, Strumicë, Sveti Nikole, Tetovë, Vallandovë, Veles dhe Vinicë.
Që nga viti 2014, sipas analizës, janë mbyllur 35 radio-stacione. Në mesin e tyre janë radio-stacionet lokale në Dellçevë, Berovë, Dollnen, Likovë, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Pehçevë.
Komunat Kratovë, Negotinë, Makedonska Kamenicë, Krushevë, Dojran, Demir Hisar, Qendër Zhupë dhe Çashkë mbulohen nga mediat rajonale, ndërsa Kriva Pallanka, Rankovca, Demir Kapi dhe Debërca nuk kanë mbulim as nga mediat tradicionale lokale dhe as nga ato rajonale. Në Ohër, sipas analizës, mediat tradicionale lokale janë mbyllur, ndërsa mediat lokale ekzistuese funksionojnë online.
Sipas të njëjtave të dhëna, në vend ka 43 kanale televizive: 17 me mbulim kombëtar, 12 rajonale dhe 13 lokale.
