Site icon Tetova Expres

QEVERIA PARALAJMËRON PRIVILEGJE TË REJA PËR STUDENTËT!

Vakti i subvencionuar studentor mund të shndërrohet edhe në mundësi për zbritje shtesë në markete. Qeveria po shqyrton një model që studentëve t’ua mundësojë shfrytëzimin e mjeteve mujore edhe për blerje në rrjetet tregtare. Por, paralelisht me këtë paralajmërim, vazhdojnë kritikat për mosrritjen e shumës së subvencionit në përputhje me inflacionin.

Më shumë përfitime nga i njëjti subvencion! Ky është synimi i Qeverisë, e cila po punon për një mundësi të re që studentët, përveç vaktit të subvencionuar, të përfitojnë edhe zbritje në markete.

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se po shqyrtohet mundësia që shuma mujore e miratuar për studentët të shfrytëzohet edhe në rrjetet tregtare, përmes privilegjeve dhe zbritjeve shtesë.

Megjithatë, për momentin nuk janë bërë të ditura marketet ku do të vlejë kjo masë, përqindja e zbritjeve dhe koha kur pritet të fillojë zbatimi.

HRISTIJAN MICKOSKI – “Ne tashmë jemi duke punuar në Qeveri për këtë çështje, në kuadër të asaj që përmenda, që studentët t’i shfrytëzojnë këto privilegje jo vetëm për vaktin studentor, por edhe shumën, përkatësisht vlerën që do t’u miratohet në nivel mujor, ta përdorin edhe në rrjetet tregtare për zbritje dhe privilegje shtesë. Qëllimi është që studentët të përfitojnë më shumë nga mbështetja financiare ekzistuese”

Advertisement

Paralajmërimi vjen në kohën kur subvencionimi i vaktit studentor është bërë objekt përplasjesh mes organizatave studentore dhe Ministrisë së Arsimit.

Përfaqësuesi i Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai, javën e kaluar njoftoi se organizata ka ngritur padi kundër Ministrisë, me pohimin se gjatë tre viteve të fundit shuma e subvencionit nuk është harmonizuar me inflacionin vjetor, siç parashihet me ligj.

Mickoski porositi se do të vazhdojë t’i mbështesë studentët dhe se pas përfundimit të karrierës politike planifikon të rikthehet në universitet.

Exit mobile version