Site icon Tetova Expres

ULEN ÇMIMET– BENZINA LIROHET PËR 7, DIZELI PËR 5.5 DENARË!

Pas shtrenjtimit të javës së kaluar, shoferët në Maqedoni do të paguajnë më pak për karburant. Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur uljen e çmimeve të derivateve të naftës. Nga mesnata, benzina do të lirohet për 7 denarë për litër, ndërsa dizeli për 5.5 denarë.

Lajme të mira për qytetarët dhe kompanitë në vend. Pas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, nga 10 nëntori në fuqi hyjnë çmimet e reja të derivateve të naftës, me ulje të konsiderueshme për të gjitha produktet e përfshira.

Sipas vendimit të miratuar më 9 nëntor, EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të kushtojnë nga 86, përkatësisht 88 denarë për litër, që paraqet ulje prej 7 denarësh.

Ndërkaq, dizeli EURODIZEL do të kushtojë 94.5 denarë për litër, ose 5.5 denarë më pak se deri më tani.

Ulje ka edhe te vaji ekstra i lehtë për amvisëri, i cili do të shitet me çmim prej 103.5 denarësh për litër, 6.5 denarë më lirë.

Advertisement

Ndërsa mazuti M-1 NS do të kushtojë 49.312 denarë për kilogram, me ulje prej 6.261 denarësh.

Me këtë vendim, benzina BS-95 nga 93 denarë zbret në 86 denarë për litër, ndërsa dizeli, i cili në periudhën paraprake kishte arritur në 100 denarë, nga nesër do të kushtojë maksimalisht 94.5 denarë.

Nga Komisioni Rregullator bëjnë të ditur se ulja mesatare e çmimeve me pakicë është 7.51 për qind. Vendimi hyn në fuqi më 10 nëntor, në orën 00:01, ndërsa si arsye për uljen përmenden çmimet më të ulëta referente në tregjet botërore, kursi i këmbimit dhe masat tatimore të aplikuara.

Exit mobile version