Site icon Tetova Expres

BULLGARI: SHUMË VIKTIMA DHE TË PLAGOSUR NGA DY AKSIDENTE ZINXHIROR NË AUTOSTRADË!

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur në dy aksidente katastrofike zinxhir, që ndodhën mëngjesin e sotëm në autostradën “Trakia”, në juglindje të Bullgarisë. Në përplasjet masive janë përfshirë më shumë se 70 automjete, përfshirë vetura, kamionë, autobusë dhe furgonë, njofton Reuters.

Tragjedia ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit, në afërsi të kryqëzimit Zimnica, në kushte të mjegullës jashtëzakonisht të dendur dhe dukshmërisë së zvogëluar. Përplasja e parë është regjistruar në kilometrin e 289-të të autostradës, në drejtim të Burgasit, ndërsa e dyta në kilometrin e 294-t, në drejtim të kundërt, për në Sofje.

Kryeministri bullgar, Rumen Radev, fillimisht njoftoi se në aksidente kishin humbur jetën 11 persona, ndërsa 48 të tjerë ishin plagosur. Më vonë, autoritetet shëndetësore konfirmuan se numri i viktimave kishte arritur në 12, pasi njëri nga të plagosurit ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra.

Përmasat e aksidentit janë të jashtëzakonshme. Sipas informacioneve nga terreni, në përplasjet janë përfshirë dhjetëra automjete të dëmtuara rëndë, ndërsa ekipet e shpëtimit për orë të tëra janë përpjekur të arrijnë te udhëtarët e bllokuar në automjete.

Si shkaqe të mundshme të tragjedisë përmenden mjegulla e dendur, rruga e lagësht dhe shpejtësia e papërshtatur me kushtet e qarkullimit. Shërbimet kompetente duhet të përcaktojnë se si ndodhën dy përplasjet masive dhe nëse kanë ekzistuar faktorë të tjerë që kanë ndikuar në aksident.

Advertisement

Kryeministri bullgar, Rumen Radev, shprehu ngushëllimet e tij të thella për familjet e viktimave. Për tragjedinë ka biseduar edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila gjithashtu u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe mbështetje të plagosurve dhe ekipeve të shpëtimit.

Exit mobile version