Përveç se në terrenin e gjelbërt, rivaliteti midis Shkëndisë së Tetovës dhe Struga Trim Lum, gjithnjë e më shumë po zhvendoset edhe nëpër rrjetet sociale. Administratorët e rrjeteve sociale të dy skuadrave që kryesojnë tabelën e klasifikimit, po bëhen gjithnjë e më kreativ në publikimet e tyre.
Derbi mes Shkëndijës dhe Struga Trim Lum duket se nuk përfundoi me vërshëllimën e fundit të arbitrit. Përkundrazi, pas fushës së gjelbër, beteja ka vazhduar në një tjetër terren, aty ku nuk ka nevojë as për top, as për gjyqtarë, por vetëm për pak kreativitet dhe shumë imagjinatë: në rrjetet sociale!
Gjithçka nisi me një nëndetëse që mbante emrin e Strugës dhe një peshkaqen gjigant që i vihej pas. Mesazhi i Shkëndijës ishte i qartë: “The Deep, The Danger, The Derby”. Por, siç duket, nëndetësja nuk e kishte llogaritur mirë se kush do të dilte në sipërfaqe pas 90 minutave.
Struga fitoi derbin dhe nuk humbi kohë për kundërpërgjigjen. Kësaj radhe, peshkaqeni përfundoi me zinxhirë, ndërsa nëndetësja strugane doli fitimtare. Mesazhi? “Jemi në piedestal!”
Por struganët nuk u mjaftuan vetëm me një fotografi. Kishte festa në zhveshtore, video nga ndeshja, fjalime motivuese të trajnerit Bledi Shkëmbi dhe, për fund, edhe një video-animacion me mbishkrimin për “natë të mirë” me pamjen e tabelës së kampionatit.
Me pak fjalë, Struga e fitoi derbin në fushë, por deshi ta vulosë fitoren edhe në Facebook!
Ndërkohë, nga Tetova mbretëron heshtja. Administratorët e Shkëndijës nuk kanë hyrë në këtë duel virtual. Ndoshta po kursejnë energjitë, ndoshta po presin që tabela të marrë sërish ngjyrat kuqezi, sepse, siç dihet, kreativiteti në rrjetet sociale është shumë më i ëmbël kur je në vendin e parë.
Deri atëherë, peshkaqeni mbetet në zinxhirë, nëndetësja në sipërfaqe, ndërsa derbi vazhdon… me komente, fotografi dhe thumbime virtuale!
Sepse në futboll, tri pikët fitohen në fushë, por krenaria, me sa duket, mbrohet edhe në rrjetet sociale! /Tv Koha/
