Dje në ora 11:45 në SPB Tetovë është raportuar se në bulevardin “Ilinden” në Tetovë, një trotinet elektrik (monopatinë elektrike) ka goditur një 17-vjeçare nga Kosova dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident, e mitura ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konfirmuar në Qendrën Urgjente të Tetovës. Është kryer inspektim nga ekipi hetimor i SPB Tetovë dhe po merren masa për gjetjen e personit dhe zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në ora 14:00 në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 40-vjeçar nga një fshat i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se gjatë muajit të fundit e ka përgjuar vazhdimisht dhe e ka ngacmuar ish-partneren e tij 40-vjeçare nga një fshat i Tetovës. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës.
…….Dje në ora 18:10, punonjësit e policisë nga Stacioni Policor Grupçin kanë privuar nga liria një 51-vjeçar nga f. Trebosh. Sipas denoncimit, rreth orës 09:00, gjatë pushimit të madh, ai ka hyrë në ambientet e shkollës fillore në fshatin Trebosh, ka sulmuar fizikisht dy nxënës të mitur dhe u ka drejtuar kërcënime verbale. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të pasojë kallëzimi përkatës.
……Dje në ora 10:30 në Stacionin Policor Jegunovcë, një 43-vjeçar nga f. Prelubisht ka denoncuar se rreth orës 07:15 në një furgon për transportin e nxënësve të shkollës fillore në f. Shemshovë, një i mitur tjetër nga f. Kopanicë i ka kërkuar para djalit të tij të mitur dhe e ka sulmuar fizikisht. Po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
……Dje në ora 21:30 në rrugën “107” në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 27 dhe një 19-vjeçar, të dy nga Tetova, sepse gjatë një kontrolli tek ata është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Ndërkohë, gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare, njëri ka sulmuar fizikisht punonjësit e policisë. Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse.
……Dje në ora 23:00 në f. Bërvenicë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë i kanë marrë një 38-vjeçari nga f. Radiovcë një automjet pasagjerësh “Volksvagen Golf”, një rimorkio të ngarkuar me dru zjarri pa dokumente dhe dy sharrë motorike. Personi është privuar nga liria, kurse sendet i janë dorëzuar Stacionit Policor Zherovjan për procedurë të mëtejshme.
……Më 5 Nëntor, në SPB Tetovë, një 74-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga një person nga f. Dobrosht. Sipas denoncimit, gjatë muajit shkurt 2026, personi i ka ofruar ndërmjetësim për të realizuar të drejtën e kompensimit monetar për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër përmes Qendrës për Punë Sociale Tetovë, me ç’rast për shërbimin i ka marrë 400 euro. Meqenëse i dëmtuari prej muajsh nuk ka marrë asnjë përgjigje, e as i janë kthyer mjetet, ai e ka kuptuar se është mashtruar. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në ora 15:20 në DPB Gostivar, një punonjëse e Prokurorisë Themelore Publike Gostivar ka denoncuar se në dy raste, në orën 09:00 dhe në orën 14:00, në vendin e saj të punës kishte shkuar një person nga Gostivari dhe gjatë dorëzimit të dokumenteve është sjellë në mënyrë agresive ndaj saj dhe ka drejtuar fyerje ndaj saj dhe institucioneve shtetërore. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në ora 23:00 në Stacionin Policor Gallatë, një 28-vjeçare nga f. Gradec ka denoncuar se rreth orës 17:25 në oborrin e shkollës fillore në f. Gradec, pas një fjalosjeje dhe përleshjeje fizike paraprake midis djalit të saj të mitur dhe një të mituri tjetër, gjyshi i të miturit të dytë, nga i njëjti fshat, ka sulmuar fizikisht djalin e saj. Po merren masa për zbardhjen e rastit
