Po flitet gjatë kohë, por punë nuk po bëhet. Kjo është ankesa e banorëve të lagjes jashtë vardarit kur pyeten për rrethrotullimin e premtuar nga Komuna e Tetovës, që pritet të lidh dy lagje të mëdha të qytetit.
Banorët thonë se me realizimin e rrethrotullimit, përveç se do të shkurtohet rruga dhe do të lehtësohet qarkullimi, më me rëndësi është rritja e sigurisë për nxënësit që kalojnë këtë rrugë dhe të pleqve që shkojnë 5 herë në ditë në xhami.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se kanë përfunduar të gjithë procedurat dhe se janë në pritje të një leje komunikacioni nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ai premton se me tu marr kjo leje, menjëherë do të fillojnë punimet.
“Aty duhet të sigurojmë leje të komunikacionit. Projekti ekgziston, procedurat janë bërë të gjitha për shpronsim. Ka mbetur vetëm leja e komunikacionit që duhet ta sigurojmë nga Ministia e Punëve të Brendshme që të nisin punimet për depërtimin e asaj rruge aty” tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.
Banorët presin që këto projekte të realizohen sa më shpejt, pasi deri atëherë rreziku për aksidente mbetet i lartë, veçanërisht për fëmijët dhe këmbësorët që kalojnë çdo ditë në këtë segment rrugor. Kujtojmë se edhe pengesat për zhvillimin e shpejtësisë apo policët rrugorë në jëtë zonë janë të dëmtuara dhe deri tani as Komuna e as Policia nuk kanë ndërmarrë asgjë për sanimin e tyre. Në mungesë të pengesave, shpejtësia që zhvillohet nga shoferët e papërgjegjshëm është jashtëzakonisht e madhe. Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak se pranë kësaj rruge ndodhen një çerdhe, një shkollë fillore dhe një xhami, ndërsa çdo ditë dhjetëra fëmijë dhe qytetarë detyrohen ta kalojnë rrugën./Tv Koha/
