Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 168.7 kilogramë duhan të prerë, gjatë një aksioni kontrollues në Tregun e Gjelbër dhe sheshin e qytetit në Prilep. Sipas Drejtorisë së Doganave, me këtë veprim është parandaluar shmangia e pagesës së akcizës në vlerë prej 463.787 denarësh.
Aksioni është realizuar nga doganierët e Doganës së Manastirit, në bashkëpunim me ekipet mobile të Departamentit për Çështje Operative, ndërsa për mbështetje është kërkuar edhe ndihma e policisë.
Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve janë kapur gjashtë persona duke shitur duhan pa pulla akcize, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ndaj tyre janë iniciuar procedura përkatëse pranë gjykatës kompetente dhe Komisionit për Kundërvajtje.
„Gjashtë persona u kapën duke shitur duhan pa pulla akcize, duke shkelur rëndë ligjin, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Ky është aksioni i dytë i këtij lloji i realizuar nga Drejtoria e Doganave brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në një kontroll të mëparshëm në tregun e Çairit, autoritetet kishin sekuestruar edhe 135 kilogramë duhan të prerë.
Drejtoria e Doganave njofton se do të vazhdojë intensifikimin e kontrolleve në terren dhe hetimeve për importin e duhanit dhe produkteve të tij, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme dhe parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe akcizore.
