Jo të pakta janë rastet kur disa media të caktuara në gjuhën maqedonase raportojnë për konflikte ndëretnike në Tetovë. Më shpesh, për sulme të pretenduara të njërit grup që përbën shumicë në Tetovë, kundrjet një grupi tjetër që është pakicë në qytetin tonë multietnik. Megjithatë, ku është qëllimi i tyre dhe cilës agjendë i shërbejnë ngritja e tensioneve ndëretnike dhe shkaktimi i frikës te të rinjtë, kryesisht te të miturit?!
Nga policia e Tetovës thonë se pas rastit të 7 shtatorit kur pati me të vërtetë konflikt mes tifogrupeve, kanë pësuar vetëm dy raste të izoluara që kanë kaluar pa dhunë dhe pasoja. Nga SPB Tetovë përgënjeshtrojnë lajmet se ka pasur raste të tjera ku janë përfshirë tifogrupet apo sulme me motive etnike!
FATMIR REXHEPI – SPB TETOVË
Nga SPB TETOVË thonë se janë në dijeni të faqeve në rrjetin social tik tok ku plasohen video të ndryshme që nxisin urrejtje ndëretnike dhe se këto faqe po monitorohen.
Në suaza të qetësimit të tensioneve të krijuara nga këto lajme, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, priti në takim Myftiun e Tetovës, Selver Xhemaili dhe Mitropolitin Josif, ku diskutuan për zhvillimet e fundit dhe incidentet e izoluara ndëretnike në qytet.
Pas takimit, palët përcollën mesazh të përbashkët për ruajtjen e paqes, tolerancës dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve, duke theksuar se Tetova është shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, u shpreh gatishmëria për krijimin e një platforme të përbashkët bashkëpunimi me institucionet fetare, shkollat, prindërit dhe organizatat qytetare, me synim afrimin e të rinjve dhe parandalimin e tensioneve ndëretnike.
Kujtojmë se dy vitet e fundit, gjegjësisht pas ndryshimit të pushtetit, rastet e dhunës me motive etnike janë dyfishuar në Tetovë.
Vetë Ministri i Punëve të Brendshme Pance Toshkovski në muajin shtator tha se do të ndërmarin masa konkrete kundër rasteve të tilla por edhe dezinformatave, megjithatë deri tani nuk ka asgjë konkrete./Tv Koha/

