Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi edicionin e 17-të të manifestimit tradicional TOP 100, ku u vlerësuan kompanitë më të suksesshme në vend, bazuar në rezultatet financiare, investimet, eksportet dhe kontributin e tyre në ekonomi.
Ngjarja mblodhi përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, përfshirë Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, udhëheqësinë më të lartë shtetërore, ambasadorë dhe diplomat, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të komunitetit të biznesit, të odave ekonomike nga vendi dhe rajoni, partnerë ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të mediave, kështu duke dëshmuar rëndësinë dhe karakterin e kësaj ngjarjeje në skenën ekonomike.
Kryetari i OEMVP-së, Sami Morina, theksoi rëndësinë e mbështetjes së ndërmarrësve dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e bizneseve, ndërsa kryeministri Mickoski u shpreh se ekonomia nuk njeh dallime etnike apo fetare dhe se synimi është krijimi i një ekonomie konkurruese në tregjet evropiane dhe globale.
Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie gjithëpërfshirëse, ku suksesi dhe zhvillimi ekonomik tejkalojnë çdo dallim etnik apo fetar.
Kryeministri pati një mesazh për të gjithë të pranishmit.
“Në Qeveri keni partnerin që dëshiron t`u dëgjojë që i kupton sfidat tuaja de që e di se pa një sektor të fuqishëm privat nuk ka ekonomi të fuqishme, kurse pa një ekonomi të fuqishme s`ka as shtet të fuqishëm. Ekonomia nuk njej kufij etnik apo fetar. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi ku puna paguhet, ku nxiten investimet, ku të rinjtë kanë perspektivë, kurse kompanitë vendore janë konkurrues në tregjet evropiane dhe botërore ”
Sipas të dhënave për vitin 2025, 100 kompanitë e renditura në pesë kategori realizuan 1 miliard e 950 milionë euro të hyra, 125.7 milionë euro fitim neto, 225.2 milionë euro eksporte dhe 153.8 milionë euro investime, duke punësuar gjithsej 10 mijë e 897 persona.
Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe çmime të veçanta.
Titullin “Gruaja e Suksesshme në Biznes” e mori Aleksandra Shkëmbi Antovska, ndërsa “Multipark Izairi” u shpall eksportuesi më i mirë dhe TRIM&LUM investitori më i madh.
Në renditjen përfundimtare të TOP 5 kompanive, vendin e pestë e zuri Bas Tuti Fruti, të katërtin Kipper Market, të tretin ALMA M, ndërsa të dytin POFIX.
Kompania NEPTUN u shpall më e fuqishmja në vend për vitin 2026.
Përmes këtij manifestimi, OEMVP synon të promovojë sukseset e sektorit privat dhe të vlerësojë kontributin e bizneseve në zhvillimin ekonomik të vendit./Tv Koha/
