Site icon Tetova Expres

VLEN: TË PËRKUSHTUAR NDAJ PËRMBUSHJES SË PREMTIMEVE TË DHËNA!

Përmbushja e premtimeve programore, provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe miratimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ishin disa nga çështjet kryesore të diskutuara në mbledhjen që mbrëmë realizoi Kryesia Qendrore e VLEN-it.

Nga ky subjekt thonë se mbeten të përkushtuar në realizimin e zotimeve të dhëna para qytetarëve, ndërsa partneritetin qeveritar e vlerësojnë si stabil.

“Miratimi në Qeveri i propozimit për provimin e jurisprudencës përbën një hap historik, me të cilin për herë të parë parashihet dhënia e provimit edhe në gjuhën shqipe. I dëgjuam studentët dhe u angazhuam që kjo çështje të marrë zgjidhje institucionale.”

Një tjetër prioritet i VLEN-it siç thonë, mbetet miratimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, përmes të cilit synohet që kjo e drejtë, e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit, të garantohet me ligj.

Nga VLEN akuzojnë opozitën për bllokimin e këtij procesi, ndërsa theksojnë se paralelisht po angazhohen edhe për transformimin e kontratave të përkohshme në marrëdhënie të rregullta pune.

Advertisement

“Është absurde të thirresh në Marrëveshjen e Ohrit dhe njëkohësisht të bllokosh avancimin e saj. Përgjegjësia për përmbylljen e këtij procesi u takon të gjitha subjekteve parlamentare që deklarohen në mbështetje të Marrëveshjes së Ohrit.”

Sipas njoftimeve, në mbledhje është diskutuar edhe tema e decentralizimit, mbështetja financiare për komunat me shumicë shqiptare, si dhe raporti i fundit i Komisionit Evropian.

/Tv Koha – Shkup/

Exit mobile version