Një incident në Abu Dhabi ka shkaktuar tensione të mëdha në botën e arteve marciale të përziera.
Ish-kampioni i UFC-së në kategorinë bantam, Merab Dvalishvili, ka bërë të ditur se është sulmuar nga Usman Nurmagomedov, kushëriri i kampionit legjendar Habib Nurmagomedov.
Luftëtari gjeorgjian ka publikuar në rrjetet sociale një video, ku shihet duke marrë ndihmë mjekësore për lëndimet në kokë. Në pamje shihet edhe shoqëruesi i tij, i cili gjithashtu kishte shenja të dukshme të dhunës fizike.
Dvalishvili tha se përplasja ndodhi papritur në hollin e një hoteli, gjatë një paraqitjeje mediatike. Sipas tij, grupi i Usmanit i sulmoi nga prapa, ndërsa në rrjetet sociale u publikua edhe një video e incidentit.
Gjeorgjiani reagoi ashpër, duke e cilësuar sulmin si akt frikacak, pasi, sipas tij, rreth 20 persona u përballën me vetëm dy veta.
Ai kujtoi gjithashtu rivalitetin me Umar Nurmagomedovin, të cilin e mposhti në janar të vitit të kaluar në oktagonin e UFC-së, përballje që kishte tensionuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy kampeve.
Luftëtari rus i arteve marciale të përziera, Usman Nurmagomedov, mund të përballet me dënim deri në një vit burg ose me gjobë prej rreth 2.700 dollarësh, sipas nenit 390 të Ligjit Federal të Emirateve të Bashkuara Arabe për veprat penale dhe dënimet.
Lajmi është bërë i ditur nga platforma “Home of Fight” në rrjetin social X.
Policia aktualisht po merr në pyetje Usman Nurmagomedovin dhe personat e tjerë të përfshirë në incident.
Nëse autoritetet vërtetojnë fajësinë e luftëtarit rus, ai mund të përballet me dënimet e parapara me ligj.
