Me një aksion gueril urban të titulluar “Kontrastet shoqërore”, organizatat joqeveritare u dolën në mbështetje studentëve dhe luftës së tyre për një standard më të mirë jetese.
Me dy tavolina të ndryshme dhe dy meny të ndryshme, njëra për deputetët dhe tjetra për studentët, në sheshin e vogël pranë Qendrës Tregtare “Bunjakovec” në Shkup, grupi “Aksionet artistike urbane” synon të paraqesë edhe vizualisht pabarazinë në shoqërinë e Maqedonisë.
Siç shihet në aksion, aktivistët e këtij grupi duan të tregojnë se tryeza studentore, me bukë, një konservë ton dhe qepë, pasqyron kufizimet e shumës prej 140 denarësh që studentët marrin nga shteti si subvencion për ushqim.
Në anën tjetër, menyja dhe ushqimi i shtruar në tryezën e deputetëve hapin çështjen e çmimeve të privilegjuara në bufenë e Kuvendit dhe pyetjen se përse pikërisht ata që kanë më shumë, në këtë shtet, gjithmonë paguajnë më pak.
Sipas aktivistëve, kontrasti bardhezi mes dy tavolinave tregon më së miri se me 140 denarë nuk mund të sigurohet një vakt studentor i denjë dhe i balancuar nga ana ushqyese.
“Deri kur për disa luks në kurriz të shtetit, e për të tjerët luftë për mbijetesë?” – ka shkruar në Facebook, Blendi Hodai nga Forumi për Reforma në Arsim.
Pikërisht vlera e shujtës studentore ishte bërë shkas i një përplasjeje mes tij dhe Kryeministrit Mickoski, pasi ky i fundit kishte deklaruar se nuk është sjellje e mirë të ofendohen profesorët.
Blendi Hodai kishte publikuar në profiling e tij në Facebook, menynë e restorantit të Kuvendit, ku deputetët mund të ushqehen me çmime të privilegjuara.
“Pyetja është e thjeshtë: pse ushqimi me çmime të privilegjuara për funksionarët konsiderohet i arsyeshëm, ndërsa subvencionimi i ushqimit për studentët bëhet objekt debati?” – kishte shtruar pyetjen Blendi Hodai./Tv Koha/
