Site icon Tetova Expres

INFLACIONI NË TETOR 3.3% – MINISTRI DURMISHI THOTË SE E NDJEKIN SITUATËN!

Inflacioni në Maqedoni në tetor të vitit 2026 arriti në 3,3 për qind në nivel vjetor, krahasuar me 2,7 për qind në shtator, ndërsa shpenzimet e jetesës vetëm brenda një muaji u rritën për 0,4 për qind.

Rritja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar te transporti, me 9,5 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike në tetor u shtrenjtuan sërish për 0,7 për qind krahasuar me muajin paraprak.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shtrenjtimi vjetor nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë 2,1 për qind më të shtrenjta se në tetorin e vitit të kaluar, ndërsa shpenzimet për banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse janë rritur për 3,7 për qind.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë dhe Punës vlerëson se lëvizjet e çmimeve në tetor, për momentin, nuk e kanë cenuar stabilitetin relativ të tregut.

Ministria paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë çmimet, veçanërisht ato të produkteve bazë ushqimore.

Advertisement

Shifrat e tetorit nuk tregojnë një goditje të re inflacioniste të përmasave të viteve të mëparshme, por dëshmojnë për një përshpejtim që nuk duhet nënvlerësuar.

Kjo, veçanërisht nëse rritja mujore e çmimeve të ushqimeve vazhdon dhe nëse kostot e larta të transportit fillojnë të reflektohen më fuqishëm edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Të dhënat e ardhshme do të tregojnë nëse tetori ishte vetëm një luhatje afatshkurtër apo fillimi i një periudhe të re me presion më të madh mbi çmimet.

Exit mobile version