Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka vizituar kompaninë “Kiel Maqedoni”, në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike në Tetovë. Durmishi u njoh nga afër me kapacitetet prodhuese të kompanisë, zgjerimin e veprimtarisë dhe investimin e ri, në vlerë prej rreth 1,5 milionë eurosh, si dhe me planet për punësime shtesë.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, bashkë me deputeten Kaltrina Beqiri dhe Zv/kryetarin e Tetovës Albi Qamili, kanë vizituar kompaninë “Kiel Maqedoni” në Tetovë, ku ka theksuar rëndësinë e investimeve të huaja në zhvillimin ekonomik të vendit, modernizimin e industrisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë vizitës, ministri Durmishi u njoh nga afër me kapacitetet prodhuese të kompanisë, e cila ka realizuar investime prej mbi 11 milionë eurosh në objektin ekzistues në Zonën Ekonomike në Tetovë, ndërsa ka vendosur edhe një linjë të re të automatizuar të lyerjes me pluhur, investim ky në vlerë prej rreth 1,5 milionë eurosh.
Durmishi theksoi se “Kiel Maqedoni” është shembull konkret i një investimi të huaj që jo vetëm ka arritur të zhvillohet me sukses, por vazhdon të zgjerojë kapacitetet dhe të krijojë perspektivë për punësime të reja.
KIEL Maqedoni është pjesë e grupit prestigjioz gjerman Franz Kiel Group, një nga prodhuesit kryesorë evropianë të sistemeve të ulëseve për udhëtarë në autobusë dhe automjete hekurudhore, të destinuara për transportin urban, rajonal dhe ndërqytetës.
Kompania, e cila ka filluar veprimtarinë vendin tonë në vitin 2017, aktualisht numëron rreth 190 të punësuar në dy objektet e saj prodhuese në Tetovë dhe Zhelinë.
Me zgjerimin e kapaciteteve dhe funksionalizimin e linjës së re, ku tashmë janë angazhuar pesë punëtorë, pritet të krijohen mundësi për punësime shtesë./Tv Koha/
