Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të qëndrojë në Shkup më 22 nëntor, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ndërsa gjatë vizitës parashikohet të zhvillojë takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, raporton KDP duke u thirrur në burime të besueshme partiake.
Vizita e kryeministrit shqiptar përkon me 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike të vitit 1908 që vendosi themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.
Kjo do të jetë hera e parë që Kryeministri Shqiptar Edi Rama do të vizitojë Qytetin e Alfabetit Shqip – Manastirin.
Por, këtë datë, Edi Rama e ka përkujtuar gjithmonë përmes rrjeve sociale, kurse në Samitin e Diasporës në Tiranë, propozoi që 22 Nëntori të jetë festë kombëtare edhe në Shqipëri.
Vitin e kaluar, historia e lindjes së alfabetit shqip dhe Kongresi i Manastirit ishin sjellë në një video të realizuar përmes AI dhe të postuar në Facebook nga kryeministri Edi Rama. Në të tregohet rëndësia e alfabetit në formësimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar dhe njerëzit që e krijuan atë.
Përveç karakterit përkujtimor, vizita e Kryeministrit Rama në Manastir, pritet të ketë edhe dimension politik, për shkak të takimeve të paralajmëruara me përfaqësuesit e partive shqiptare.
Ardhja e Ramës vjen në një periudhë debatesh politike për përdorimin e gjuhës shqipe, pozitën institucionale të shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse këto çështje do të jenë pjesë e diskutimeve të Ramës me liderët shqiptarë.
Më 22 nëntor shënohet përvjetori i përfundimit të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908 dhe bashkoi përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare për të njësuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Kongresi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Në Maqedoninë e Veriut, Dita e Alfabetit është festë zyrtare për pjesëtarët e komunitetit shqiptar./Tv Koha/
