Site icon Tetova Expres

MBI 50 GRA NGA POLLOGU NË PROGRAM PËR FUQIZIMIN E LIDERSHIPIT

Mbi 50 gra nga rajoni i Pollogut do të përfitojnë nga programi i trajnimeve “Leading Change with Meaningful Voice” i cili synon fuqizimin e rolit të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset e vendimmarrjes lokale. Programi organizohet nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike, me mbështetjen e Ambasadës së Gjermanisë. Moduli i parë i trajnimit, me temë “Lidershipi dhe Pjesëmarrja e Grave”, u zhvillua sot, me pjesëmarrjen e grave nga këshillat komunalë, partitë politike dhe administratat komunale. Gjatë trajnimit, pjesëmarrëset patën mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre në lidership, komunikim publik dhe pjesëmarrje aktive në jetën publike. Hapjen e trajnimit e bëri drejtoresha ILPP-së, Pranvera Kasami, ndërsa pjesëmarrëset u përshëndetën edhe nga ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler.

Trajnerja Adelina Marku theksoi rëndësinë e të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe shkëmbimit të përvojave, veçanërisht për gratë e reja në pozita udhëheqëse. Ajo vlerësoi se ndryshimet e shpejta teknologjike, inteligjenca artificiale dhe zhvillimet në politikë kërkojnë qasje të reja në lidership, ndërsa gratë kanë një rol të rëndësishëm në afrimin e elitave politike me qytetarët dhe në zbatimin e reformave që synojnë integrimin evropian.

Adelina Marku – Trajnere
“Kam një bindje të plotë se trajnimet e tilla që kanë të bëjnë me të mësuarit gjatë gjithë jetës janë shumë të rëndësishme dhe ne që e mbajmë veten si trajnere, si eksperte të një lëmie, jemi gjithmonë të gatshëm që të ofrojmë dijeninë tonë, përvojën tonë dhe të dëgjohemi për mënyrat e reja me të cilat ballafaqohen gratë e sidomos femrat e reja në pozitat udhëheqëse. Le të mos harrojmë se bota ndryshon shumë, konteksti i teknologjisë ka ndryshuar shumë dhe këta koncepte po marrin forma të reja. Ne jetojmë në kohën e AI dhe në kohën e rritjes së populizmit në politikë, dhe një zhvendosje të elitave politike nga votuesi, dhe këtu e shoh rolin e grave, si bashkues i elitave politike me votuesin dhe implementimin strategjik të atyre postulatave që ne i kërkojmë drejt BE-së”.

Nga ana tjetër, ambasadorja gjermane Petra Drexler nënvizoi se pjesëmarrja e grave në pozita udhëheqëse është një tregues i rëndësishëm i legjitimitetit demokratik. Ajo theksoi se zhvillimi i plotë i potencialit të një shoqërie është i mundur vetëm kur të gjitha talentet përfaqësohen dhe marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes, duke riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për këtë iniciativë.

Petra Drexler – Ambasadore e Gjermanisë në Shkup
“Është kënaqësi të jesh këtu në Tetovë, në këtë mëngjes, me Institutin për Lidership dhe Politika Publike. Çështja e grave në pozita udhëheqëse është tregues i legjitimitetit demokratik sepse shoqëritë mund të zhvillojnë potencialin e plotë vetëm nëse të gjithë talentët participojnë në vendimmarrje. Është një sfidë që të gjithë ne e ndajmë, në Gjermani, në Maqedoni të Veriut dhe në shtetet e tjera, çfarëdo që statistikat për përfaqësimin e grave në vendimmarrje na thonë. Prandaj ne jemi shumë krenarë që të bashkëpunojmë me institutin dhe do të doja ta falënderoj institutin për këtë iniciativë. Ne jemi partnerë të tyre”!

Advertisement

Përmes këtij programi, ILPP synon të mbështesë gratë që mbajnë role publike, duke i inkurajuar të marrin pjesë më aktive në vendimmarrje dhe të ndërmarrin iniciativa që adresojnë nevojat e komuniteteve. Programi pritet të kontribuojë në rritjen e përfaqësimit të barabartë dhe fuqizimin e grave në nivel lokal./Tv Koha/ 

Exit mobile version