Transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje e ekspertizës publike në reformën e drejtësisë. Ministri Shasivari hap dy projektligjet më të rëndësishme penale për debat dhe konsultim publik.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po e vendos transparencën dhe konsultimin publik në qendër të reformës së legjislacionit penal.
Projekt Kodi i ri Penal dhe Projektligji i ri për Procedurën Penale janë publikuar në platformën elektronike ENER, duke u hapur rrugë ekspertëve juridikë, institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të japin mendimet, komentet dhe propozimet e tyre.
Me këtë hap, Ministria e Drejtësisë nën drejtimin e Shasivarit dëshmon se reformat e mëdha nuk duhet të hartohen pas dyerve të mbyllura, por përmes transparencës, debatit profesional dhe pjesëmarrjes së publikut.
Ministri Shasivari u ka bërë thirrje gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, profesorëve universitarë dhe të gjithë qytetarëve të interesuar që t’i shqyrtojnë projekttekstet dhe të kontribuojnë në përmirësimin e tyre.
Në kuadër të këtij procesi, Ministria do të organizojë edhe debate publike profesionale, ndërsa të dy projektligjet tashmë i janë dorëzuar Komisionit Evropian për mendim.
Kjo qasje synon të sigurojë që legjislacioni i ri penal të ndërtohet mbi bazën e ekspertizës vendore, standardeve evropiane dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Mesazhi i ministrit Shasivari është i qartë: drejtësia nuk ndërtohet me vendime të mbyllura, por me transparencë, përgjegjësi dhe dialog. Publiku nuk është vetëm vëzhgues i reformës, por pjesë e saj.(INA)
