Gjendja e sigurisë në Tetovë është stabile dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë tensionesh ndëretnike, por për konflikte të izoluara mes tifozëve. Kjo është një dukuri me të cilën përballen edhe qytete të tjera në vend dhe në rajon, por në Tetovë merr më shumë vëmendje për shkak të mjedisit multietnik.
Ky është konkluzioni i përbashkët i takimit ndërinstitucional të punës, kushtuar parandalimit dhe trajtimit të delikuencës së të miturve.
Takimi u organizua pas zhvillimeve dhe incidenteve të fundit, në të cilat ishin përfshirë tifozë të mitur të dy klubeve të futbollit nga Tetova.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përfaqësues të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, të Këshillit për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve, të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, si dhe drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në territorin e komunës.
“Gjendja e sigurisë në Tetovë është stabile dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë tensionesh ndëretnike, por për konflikte të izoluara mes tifozëve – dukuri me të cilën ballafaqohen edhe qytete të tjera anembanë vendit dhe rajonit, por që në Tetovë reflektohet më shumë për shkak të mjedisit multietnik. Në këtë drejtim, institucionet dërguan një apel të përbashkët drejtuar opinionit, mediave dhe faktorëve politikë që të përmbahen nga përhapja e dezinformatave, keqpërdorimi politik i ngjarjeve të tilla dhe nxitja artificiale e tensioneve që realisht nuk ekzistojnë në këtë rajon”
Kjo çështje u aktualizua pas një serie videosh me përmbajtje të dhunshme, të publikuara në grupe të specializuara në platformën TikTok. Në to shihen të mitur duke ndjekur dhe keqtrajtuar bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa incidentet i incizojnë dhe më pas i publikojnë në rrjetet sociale.
Në takim u dakorduan edhe disa hapa konkretë për periudhën në vijim. Ndër to janë shkëmbimi i vazhdueshëm i informacioneve mes SPB-së Tetovë, Qendrës për Punë Sociale dhe institucioneve arsimore, me qëllim identifikimin e hershëm të sjelljeve me rrezik te të rinjtë.
Gjithashtu, parashihen ligjërata dhe fushata të përbashkëta në shkollat fillore dhe të mesme për tifozërinë me frymë të fair-play-it, tolerancën dhe pasojat ligjore të cenimit të rendit dhe qetësisë publike. Do të organizohen edhe takime me këshillat e prindërve dhe drejtuesit e klubeve sportive lokale, për të ngritur vetëdijen dhe përgjegjësinë e përbashkët për sigurinë e të rinjve.
Për sulmet ndaj fëmijëve në Tetovë kishte reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se për këto raste duhet të mbajnë përgjegjësi si sulmuesit, ashtu edhe prindërit e tyre.
