Site icon Tetova Expres

TRI KRYEQYTETE, NJË SKENË – “MOISIU” RIKTHEHET NË SHKUP

Tri kryeqytete, një skenë dhe një gjuhë e përbashkët artistike. Tirana, Prishtina dhe Shkupi bashkohen javën e ardhshme përmes magjisë së teatrit.

Nga 16 deri më 22 nëntor, Shkupi do të shndërrohet në kryeqendrën e artit skenik shqiptar, duke mirëpritur edicionin e katërt të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”.

Dhjetë shfaqje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Presheva do të sjellin në një skenë histori, emocione dhe interpretime që kapërcejnë kufijtë.

Një festë e teatrit që këtë vit përkon edhe me atmosferën e festave të nëntorit.

ISMET RAMADANI, Drejtor i Teatrit Shqiptar – Shkup

Advertisement

“Festivali Moisiu është një nga ngjarjet, lirisht mund të them, më të mëdha kulturore që ndodh këtë vit për neve shqiptarët. Dhe ashtu edhe duhet ta trajtojmë, duhet të jetë festë pasi që ka filluar edhe tani në nëntor gjatë festave të nëntorit.”

Nga “Drejtësi në Nuremberg”, që do të hapë festivalin, te “Hamleti”, “Duke pritur Godonë” e “Romeo dhe Xhulieta”, skena e Shkupit do të flasë përmes veprave shqiptare dhe kryeveprave të dramaturgjisë botërore.

Por “Moisiu” nuk synon të bashkojë vetëm aktorët para publikut.

Festivali është edhe një mundësi për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi mes teatrove shqiptare, për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar të ardhmen e artit skenik.

“Qëllimi ynë thelbësor në këtë festival është nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit mes artistëve shqiptarë, si dhe krijimi i një ure të fortë njohjeje mes njerëzve të skenës dhe artit tonë.”

Advertisement

Festivali që nisi rrugëtimin në Shkup në vitin 2022, për të vazhduar në Tiranë dhe Prishtinë, rikthehet aty ku gjithçka filloi.

Më 22 nëntor, “Përtej hekurave” e Teatrit Shqiptar të Shkupit do të ulë perden e edicionit të katërt, ndërsa do të ndahen edhe çmimet për arritjet artistike.

Tri kryeqytete që i ndajnë kufijtë, por i bashkon skena.

Për shtatë ditë, Shkupi do të jetë shtëpia e përbashkët e teatrit shqiptar./Tv Koha – Shkup/

Advertisement
Exit mobile version